Tjetër test niveli, Ardian Ismajli duhet të ndalë… Lukakun

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 19, 2024 | 21:31

Tjetër test niveli, Ardian Ismajli duhet të ndalë… Lukakun

Trajneri i Empolit, Roberto D’Aversa, ka vlerësuar në një intervistë të fundit qendërmbrojtësin e tij Ardian Ismajli, duke e quajtur atë një lojtar të gatshëm për një klub të madh. Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare po përjeton një moment forme të jashtëzakonshme, duke qenë përcaktues në qëndrueshmërinë e mbrojtjes së Empolit, e cila ka pësuar vetëm 4 gola në 7 ndeshje, duke e bërë të dytin më të mirë në kampionat pas Juventusit.

Ismajli-Vlahovic

Forma e Ismajlit u dallua edhe në dy ndeshjet e Kombëtares. Për këtë, “Corriere dello Sport” i ka kushtuar një artikull mbrojtësit në lidhje me duelin e nesërm kundër Napolit, ku ai pas emrave si Vlahoviç, Kin apo Kastejanos duhet të neutralizojë edhe Lukakun. “Ismajli është pika kryesore e mbrojtjes me tre lojtarë të Empolit, e rrethuar në të djathtë nga i riu gjeorgjian Saba Gogliçidze dhe në të majtë nga Matia Viti i rikthyer.

Karakteristika e tij kryesore është markimi personal, një aftësi gjithnjë e më e rrallë në futbollin modern. Ismajli nuk është përgjegjës për ngritjen e lojës, por për ndalimin e kundërshtarit dhe këtë e bën në mënyrë efektive: në shtatë ndeshje asnjë qendërsulmues me të cilin u përball, përfshirë Vlahoviç, Kin dhe Kastejanos, nuk arriti të shënonte kundër tij”, shkruhet në artikull.

NJË TEST NIVELI – “Pas një paraqitjeje të shkëlqyer me Kombëtaren shqiptare, e cila fitoi ndaj Gjeorgjisë në Ligën e Kombeve, Ismajli po përgatitet për një nga sfidat më të vështira të sezonit: ndalimin e Romelu Lukakut, qendërsulmuesit më dominues fizikisht në kampionat. Dueli mes të dyve do të zhvillohet nesër në “Kastelani” dhe do të jetë një sfidë mes muskujsh dhe centimetrash.

Ismajli ka treguar tashmë se ai mund të mbajë veten kundër sulmuesve të nivelit të lartë, dhe D’Aversa është i sigurt në aftësinë e tij për të ruajtur efektivitetin e lartë mbrojtës”, shkruan gazeta e famshme italiane.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"