Tkurret buxheti për futbollin, Bashkia Berat akordon 290 milionë lekë për Tomorin e 2025-ës
Fakti që skuadra e Tomorit mbështetet financiarisht nga ana e Bashkisë Berat, që zotëron edhe 100% të aksioneve, ka zgjuar interesin e opinionit futbolldashës dhe më gjerë, për të mësuar buxhetin e klubit për 2025-ën.
Përgjigjen e duhur me këtë rast, e ka dhënë pikërisht Këshilli Bashkiak i Beratit, ku në mbledhjen e fundit që miratuar një buxhet të kënaqshëm, që kap shifrën 290 milionë lekë (të vjetër) për Tomorin. Krahasuar me shifrat e buxhetit të 2024, shifra është më e ulët, pasi vjet u akorduan 360 milionë lekë. Gjithsesi, shuma aktuale është mirëpritur dhe vlerësuar nga ana e klubit të futbollit, por vlerësimet nuk kanë munguar as nga specialistë të njohur të futbollit, si dhe nga vetë kreu i këshilltarëve të maxhorancës në Këshillin Bashkiak. Për “Panorama Sport”, shprehen ish-kapiteni Petrit Çilingiri, si dhe kryetari i grupit të maxhorancës në Këshillin Bashkiak, Krenar Suku.
“Padyshim që është një vlerësim nga ana e bashkisë për futbollin beratas, pavarësisht se në raport me një vit më parë kemi 70 milionë më pak. Mendoj se Bashkia Berat ka dhënë maksimumin në këto kushte për Tomorin. Ndaj, klubi dhe skuadra duhet ta justifikoj mbështetjen e kryebashkiakut Ervin Demo”, u shpreh Çilingiri. Ndërsa Krenar Suku u shpreh: “Shuma prej 29 milionë lekë (të rinj) është një tregues që kryebashkiaku Demo, i kushton një rëndësi të veçantë futbollit beratas. Në këto kushte, shpresojmë që Tomori ynë i zemrës do të përfaqësohet me dinjitet dhe përkushtim për realizimin e objektivit sezonal. Ngjitja në të Parën kalon edhe nëpërmjet ndeshjeve shtesë”.
EDI SPAHIU-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"