Tomori do 3 pikët në shtëpi ndaj Burreli, Arbëri: E luajmë si finale
Tomori luan sot ndaj Burrelit në orën 13:00 dhe në kampin beratas kërkojnë të shfrytëzojnë në maksimum këtë takim për të dalë me tri pikë.
Për fat të mirë, kalendari i jep një dorë Tomorit në dy takimet e radhës, teksa do t’i luajnë të dyja në Berat, fillimisht përballë Burrelit dhe javën tjetër ndaj Luzit 2008. Pikët maksimale do ta “saldonin” skuadrën beratase mes gjashtë të parave. Trajneri Klodian Arbëri, duke folur për “Panorama Sport”, para duelit me matjanët, theksoi se ekipi i tij duhet të evitojë hapat falsë në shtëpi.
“Tani dihet shumë qartë nga të gjithë, se kampionati është në fazën e tij më të nxehtë. Të gjitha ekipet pa përjashtim kërkojnë të marrin maksimumin për të realizuar objektivat e tyre. Unë do ta ndaja në tri grupe kampionatin. Veç kreut dhe fundit të tabelës, në garë të fortë janë edhe skuadrat e mesit, ku bëjmë pjesë edhe ne. Risku është i lartë dhe për këtë arsye, po punojmë me shumë seriozitet me futbollistët, që të luajmë të mobilizuar në dy ndeshjet shtëpiake. Ndeshjet do t’i marrim një e nga një, sikur të ishin finale. E konsiderojmë pozitiv kalendarin, që na jep mundësinë edhe për të siguruar vendin e katërt. Për këtë arsye, jemi duke e marrë në konsideratë këtë mundësi pa u nxituar dhe pa eufori, e cila do të ishte shumë e dëmshme. Po përgatitemi për finalen e parë ndaj Burrelit dhe fitoren ia kemi detyrim tifozërisë sonë”, deklaroi Arbëri.
EDI SPAHIU-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"