Tomori-Lushnja, dy gola për asgjë. Trajneri Magani: Situatë artificiale, por skuadra mbijeton 100%

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 9, 2024 | 13:02

Tomori-Lushnja, dy gola për asgjë. Trajneri Magani: Situatë artificiale, por skuadra mbijeton 100%

Tomori ka zhvilluar një nga ndeshjet e tij më të mira, pikërisht në 90-minutëshin e lamtumirës në Kategorinë e Parë. Pavarësisht humbjes 2-0, skuadra e hedhur në fushë nga tekniku Droboniku, në përbërje të së cilës ishin futbollistë të rinj dhe me perspektivë, luajtën si të barabartë me Lushnjën, madje e vendosën edhe në vështirësi.

tomori lushnja

Me këtë trepikësh lushnjarët mbeten në të njëjtat pozita dhe tani presin kundërshtarin e “play out”-it për të siguruar mbijetesën.

Ndeshja- Të dyja skuadrat hynë në fushë të shkarkuara nga emocionet dhe presioni i rezultatit. Në start beratasit kanë dy raste për shënim, por Arbëri dhe Lajthia nuk e mposhtën dot portierin mik. Më pas iniciativën e marrin lushnjarët, që në minutën e 32-të mbeten me 10 lojtarë. Murati, pas një ndërhyrje të gabuar në mesfushë u ndëshkua me karton të verdhë, duke marrë edhe kritika nga pankina e Lushnjës. Për ndëshkimin e panevojshëm me karton, ai u thirr për të lënë fushën. I nervozuar, mesfushori ka hequr fanellën brenda vijave kufizuese dhe kryesori Shabanaj, me të drejtë e ka ndëshkuar me karton të kuq.

Pjesa e parë u mbyll me rrjeta të paprekura. Edhe pjesa e dytë nis më me vrullë për vendasit, ku vënë nën presion kundërshtarin, por goli mungon. Për të ndalur presionin e Tomorit, trajneri Magani hedh në fushë “armët e rënda”. Me aktivizimin e tre titullarëve, mbrojtësi Paolo Kasmollari, mesfushori Tabaku dhe sulmuesi Preknicaj, miqtë jo vetëm që ekuilibrojnë lojën dhe rastet për shënim, por arrijnë të kalojnë edhe në avantazh. Shifrat u zhbllokuan në minutën e 65-të  me autor Bashën, i cili finalizon mjaft bukur brenda zonës. Tri minuta para përfundimit të takimit, Lushnja dyfishon me mesfushorin Xherison Uilli duke i shuar shpresat e futbollistëve të rinj beratas për një barazim të mundshëm.

Drobonikun e kënaqin të rinjtë

Iken Droboniku, trajneri i Tomorit, pas ndeshjes deklaroi: “Përtej rezultatit, më duhet të them se jam shumë i kënaqur nga i gjithë grupi i futbollistëve të rinj, të cilët u aktivizuan në këtë takim. Jam i bindur se futbolli beratas ka një të ardhme të sigurt me këta të rinj  me shumë perspektivë. Ata luajtën si të barabartë dhe e vunë Lushnjën në vështirësi. Por, për shkak të mungesës së eksperiencës e kanë humbur këtë takim”.

 

Trajneri

Magani: Situatë artificiale, por Lushnja mbijeton 100%

Gugash Magani, trajneri i Lushnjës, pas fitores në Berat, për “Panorama Sport” u shpreh: “Gjithçka ishte e mësuar përpara ndeshjeve të kësaj jave. Si qëllim kemi pasur që të mbajmë skuadrën në tonus të plotë, për ta vendosur gjithçka në funksion të ndeshjes shtesë. Më duhet të shpreh keqardhjen time të thellë, që Lushnja ndodhet në këtë pozitë. Kjo nuk është se ka ardhur nga ana jonë. Dihet publikisht që Lushnjën e çuan në këtë pikë faktorë të jashtëm të gjykimit, si dhe gara e pandershme që bënë ekipe të veçanta në dëmin tonë. Si trajner profesionist, deklaroj publikisht se Lushnja me 100% do të qëndroj në Kategorinë e Parë. E theksoj, jemi artificialisht në këtë situatë, të cilën së bashku me skuadrën do ta kalojmë edhe nëpërmjet ndeshjes shtesë ndaj kujtdo kundërshtari që do të kemi përballë”.

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"