Tomori, Naftëtari dhe Veleçiku në pritje të afrimeve. Lajme shkurt nga Kategoria e Dytë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 4, 2024 | 19:12

Tomori, Naftëtari dhe Veleçiku në pritje të afrimeve. Lajme shkurt nga Kategoria e Dytë

Me qëllim që të kompensojnë kohën e humbur, në Berat kanë intensifikuar përgatitjet, ku prioritet nga stafi teknik kanë marrë ndeshjet e kontrollit që zhvillohen përgjatë çdo seance midis skuadrave A dhe B brenda familjes.

kategoria-e-dyte

Gjithashtu, interesim të madh ka marrë edhe përforcimi i skuadrës me futbollistë cilësor, ku krahas elementit të ri dhe me perspektivë vendës, po punohet edhe për afrime të tjera.

Trajneri Droboniku, së bashku me donatorin dhe presidentin, janë duke marrë kontakte së fundi edhe me drejtuesit e Bylisit, për të huazuar futbollistë cilësor. “Qëllimi ynë është të afrojmë futbollistë të kompletuar, që dinë të përballojnë presionin dhe të përmbushin objektivat që ka Tomori”, u shpreh shkurtimisht për “Panorama Sport”.  tekniku i beratasve, Iken Droboniku. Rikthimi në Kategorinë e Parë kërkon grup cilësor, pasi rivaliteti është i madh në Grupin B. EDI SPAHIU

Naftëtari, ngjitja si objektiv madhor

Naftëtari parashikohet që të jetë një ekip konkurrues në sezonin e ri në Grupin A të Kategorisë së Dytë. Kuçovarët vazhdojnë me intensitet përgatitjet për sezonin e ri, ku nuk mungon optimizmi për kampionatin e ri, ku objektivat, në ndryshim të plotë nga sezonet e fundit, do të jenë ambiciozë. Do të synohet rikthimi pas një mungese të gjatë në Kategorinë e Parë.

Skuadra është përforcuar ndjeshëm, por drejtuesit po punojnë për afrime të tjera. Naftëtari është futur në javën e tretë të përgatitjeve, ku shumë shpejt parashikohet të këtë dhe disa ndeshje miqësore. Me interes pritet dhe shorti i kampionatit, ku kuçovarët me shumë mundësi do të jenë përsëri pjesë e Grupit A (veriut). ARBEN ÇEPANI

 Veleçiku, sezon i ri, avaz i vjetër

Veleçiku vazhdon sërish avazin e vjetër. Ekip pa pretendime, pa objektiv, pa afrime, pa zv.trajner, pa trajner portierësh. Skuadra koplikase ka mbyllur javën e pare stërvitore pa ndonjë gjë te re, vetëm një grup i vjetër futbollistesh, ku numri nuk shkon më shumë se 17-18 vetë, të cilët nën drejtimin e trajnerit Duli dhe drejtorit Rexha stërviten çdo ditë.

“Do të respektojmë garën dhe jemi në pritje për disa huazime futbollistësh nga Ballshi. Do presim në këto 3 javë që kanë mbetur për afrime të mundshme nga Besëlidhja dhe akademia e Vllaznisë”, u shpreh drejtori Nuri Rexha për “Panorama Sport”. Veleçiku mbetet pezull, ku për momentin nuk ka asnjë reagim nga Bashkia e Malësisë së Madhe. BASHKIM RAMEKAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"