Torraj: E dominuam Dinamon, tani të marrim pikë në Laç

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 24, 2024 | 18:30

Torraj: E dominuam Dinamon, tani të marrim pikë në Laç

Teuta nuk ia doli të merrte më shumë se një barazimi 1-1 në duelin e mbrëmjes të së dielës ndaj Dinamos, takim i vlefshëm për javën e gjashtë të Superiores. Një përballje tepër e luftuar, që në fund nuk prodhoi fitues.

torraj

Teuta, gjeti baraspeshën me Torrajn. Sulmuesi i hedhur në fushë nga stoli, arriti të shënonte në minutën e 64-rt. Goli i parë me fanellën e Teutës për sulmuesin anësor Torraj, i cili ishte mjaft kërkues në momentin e realizimit. Në një intervistë për “Panorama Sport” sulmuesi i majtë, u shfaq i lumtur dhe kërkon vazhdimësinë me Teutën. Ky ishte barazimi i parë për Teutën në këtë sezon. Teuta në 6 javë ka grumbulluar 7 pikë. Duelin e radhës durrsakët do ta luajnë ndaj Laçit në transfertë.

Sa i lumtur jeni për golin e parë personal në futbollin shqiptar?
Me golat dhe me rendimentin personal në këtë ndeshje jam i kënaqur. Shpresoj në vazhdim unë të dal në pah, siç dola kundër Dinamos, t’i gëzoj tifozët, të gëzoj qytetin. Dhe jo vetëm unë, por i gjithë ekipi dhe në fund të dalim faqebardhë.

Një pikë kundër Dinamos. Sa keq ju vjen që dominuat, por nuk morët tri pikët?
Më pëlqeu mënyra e lojës si luajtëm, më pëlqeu mënyra sesi dominojmë dhe si vijmë deri te krijimi i rasteve. Normalisht, pjesa e parë ishte shumë stresuese për shkak se gjithë atyre rasteve të humbura, dominimin total. Edhe pse u mbyll 0- 1, unë pashë një dëshirë te shokët në pushimin mes dy pjesëve për të fituar këtë ndeshje, por që nuk arritëm dhe na vjen keq. Jam i kënaqur me performancën në përgjithësi. Duhet vetëm të kemi kujdes kur kundërshtari na vjen një herë apo dy herë deri te porta dhe rrezikon, duhet të përmirësohemi. Besoj se ekipi nga ndeshja në ndeshje në aspektin e lojës dhe dominimit shprehet më mirë.

Mendoni se ka akoma ka vend për përmirësim?
Patjetër që po. Unë besoj se Teuta, duhet nga ndeshja në ndeshje, nga java në javë të përmirësohet, si në aspektin e lojës, ashtu edhe në aspektin e sigurisë në lojë, që është shumë e rëndësishme. Duhet në çdo moment të ruajmë balancimin për shkak se liga është shumë e barabartë. Kështu që nuk mund të jemi asnjëherë të kënaqur dhe të fjetur. Përkundrazi, duhet të jemi çdo moment vigjilentë.

Katër ditë kohë dhe te shtunën ndeshja e radhës kundër Laçit?
Normale që është një sfidë e vështirë, por për ne është ndeshja e radhës. Pa humbur respektin për kundërshtarin, ne jemi Teuta dhe duhet t’i fitojmë ndeshjet, sepse ne kemi si synim për të fituar këtë duel dhe shpresoj që t’ia dalim mbanë.

Si e parashikoni këtë takim, në këtë situatë, do t’ju kënaqte edhe një pikë me Laçin?
Siç e përmenda më lart, Teuta është e ndërtuar për të fituar në çdo ndeshje në krahasim me ekipet e tjera. Teuta nuk është e kënaqur me barazimin, do të kërkojmë maksimumin në këtë takim, do të nisim të studiojmë Laçin, t’i mësojmë pikat e forta dhe pikat e dobëta do jetë një përballje interesante.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"