Trajneri bën video-analizë për sfidën e parë zyrtare. Për Apoloninë, Vora “gjahu” i preferuar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 23, 2024 | 16:30

Trajneri bën video-analizë për sfidën e parë zyrtare. Për Apoloninë, Vora “gjahu” i preferuar

Fierakët e kanë zhvilluar seancën e djeshme stërvitore në orën 18:00 dhe duhet thënë se ritmi ka qenë i lartë. Pas ushtrimeve aerobike, lojtarët vazhduan me punën me top dhe me anën taktike. Në fundin e seancës ata zhvilluan edhe një lojë 20-minutëshe mes tyre, ku nuk munguan golat dhe veprimet spektakolare.

korabi apolonia

Harmonia në ekip shihet si një faktor kyç për një ecuri sa më pozitive gjatë sezonit të ri. Mirëpo, lojtarët kanë qenë prezentë në akademi rreth orës 16:45, pasi fillimisht është zhvilluar një mbledhje me dyer të mbyllura, ku kanë qenë të pranishëm, stafi teknik dhe lojtarët fierakë. Në fokus ka qenë ndeshja e parë zyrtare e kampionatit. Ka zgjatur më shumë sesa 40 minuta dhe sigurisht janë dhënë direktiva për çdo lojtar. Gjithçka është realizuar përmes një videoprojektori për t’u fiksuar shumë mirë. Shifrat – Starti i kampionatit rezervon një kundërshtar të vështirë për Apoloninë, Vorën.

Mirëpo duket se është rasti klasik i “gjahut të preferuar” për fierakët. Gjatë tri sezoneve të fundit këto skuadra janë ndeshur 6 herë mes tyre, sepse në 2020-2021-shin fierakët ishin pjesë e Kategorisë Superiore. Dhe vetëm një herë në 6 ndeshje Apolonia është mundur nga Vora dhe rrjedhimisht nuk ka arritur të provojë shijen e fitores. Bilanci është totalisht në anën e fierakëve, të cilët kanë fituar 5 herë. Interesant është fakti se në 2 nga 5 fitoret janë regjistruar me rezultatin e pastër, 6-1 dhe 0-2 ndërsa 3 fitoret e tjera me rezultatin e ngushtë, 3-4 dhe dy herë 2-1. Sezonin e kaluar Apolonia ka arritur fitoren më spektakolare, madje me përmbysje kundër Vorës, 3-4, në fazën “play off”.

Plot 16 gola ka arritur të shënojë Apolonia në portën e Vorës në këto 6 ndeshje, që janë zhvilluar në sezone dhe stadiume të ndryshme. Në vetëm një rast vorakët kanë mundur të shënojnë më shumë se 1 gol në portën e fierakëve, pikërisht në ndeshjen e parë të “play off”-it që ata shënonin 3 herë, mirëpo kur askush nuk e priste erdhi përmbysja e madhe e fierakëve, duke i eliminuar kështu vorakët nga “play off”-i.

Hilmi Saliu- PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"