Trajneri Bicaj: Burreli ka grup kompakt, i drejt barazimi me Flamurtarin
Burreli-Flamurtari, e vlefshme për javën e 12-të të Kategorisë së Parë, ishte një ndeshje e bukur, që dhuroi emocione dhe për këtë meritë patën të dy ekipet. Referuar shifrave, balanca anon nga skuadra matjane, që është skuadra e vetme që i ka shkaktuar humbjen Flamurtarit në kampionat. Kjo ka ndodhur në javën e parë në Vlorë, me rezultatin 1-2, me gola të shënuar nga Farruku dhe Hoti.
Ndërsa takimi i fazës së dytë u mbyll në barazim, ku sërish shënoi kapiteni Farruku për Burrelin. Trajneri Ditmar Bicaj, në një prononcim për “Panorama Sport” fillimisht bën skanerin e sfidës me vlonjatët. “I përgëzoj djemtë për shpirtin e lartë të garës që treguan dhe jam i kënaqur me rezultatin, që e konsideroj pozitiv. Edhe mund ta kishim fituar, ashtu siç dhe mund ta kishim humbur, pasi Flamurtari është ekip kualitativ, që luan futboll potent dhe të imponohet. Ndeshja i kishte të tria rezultatet, por falë lojës që zhvilluam, arritëm të merrnim një pikë të vlefshme. Kaluam të parët në avantazh, por vlonjatët na barazuan shpejt, me një 11-metërsh që han diskutim.
Të mos harrojmë se dhe ekipit tonë i mungon një penallti e pa dhënë. Gjithsesi, këto janë çështje të arbitrimit, që për hir të së vërtetës me Burrelin po tregohen disi të ashpër për të mos thënë edhe tendencioz. Pavarësisht se si shkoi, loja ishte e barabartë, me raste të pastra e mundësi shënimi nga të dyja skuadrat. Barazimi, mendoj është rezultati më i drejtë, por dua të evidentoj faktin se me këtë barazim, ne jemi i vetmi ekip që i kemi marrë katër pikë Flamurtarit, kjo falë lojës që zhvilluan djemtë, ku ata zbatuan detyrat, zhvilluan lojë të fortë, dhe treguan karakter dhe kompaktësi”, u shpreh trajneri Bicaj.
Vlerësimi për ekipin- Bicaj vlerëson kompaktësinë e grupit, mentalitetin e fitores dhe shpirtin e garës të ekipit. Teksa i kërkohet të vlerësojë ndonjë lojtar, Bicaj shprehet: “Forca e grupit, mentaliteti fitues, shpirti i garës dhe lufta e fortë sportive janë si të thuash tiparet dominuese te Burreli. Ndaj Flamurtarit, të gjithë lojtarët ishin në lartësinë e duhur, por veçoj disa prej tyre. Fetaj, Dedgjonaj, Farruku që ka shënuar në të dy ndeshjet, si dhe Paloka bënë diferencën me të tjerët dhe ishin në lartësinë e duhur përballë një kundërshtari të fortë e të ndërtuar për Superioren”. Trajneri falënderon në mënyrë të veçantë tifozerinë matjane, që ndaj vlonjatëve kishte mbushur shkallët e stadiumit “Liri Ballabani”, në mbështetje të skuadrës së tyre të zemrës, Burreli.
MARTIN DEDAJ- PANORAMASPORT.AL