Trajneri Bubeqi: E nisëm me vonesë punën për sezonin e ri, Kastrioti po tregon progres

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 21, 2024 | 16:40

Trajneri Bubeqi: E nisëm me vonesë punën për sezonin e ri, Kastrioti po tregon progres

Kastrioti e ka nisur me vonesë punën për sezonin e ri, por trajneri Dorjan Bubeqi, beson ekipi do ta marrë shpejt veten. Pas suksesit në testin me Korabin, për “Panorama Sport” trajneri Bubeqi u shpreh:

bubeqi

“Mendoj se jemi akoma larg asaj që unë pres. E kemi thënë edhe më parë, fillimi me vonesë i përgatitjeve, bën që të mos jemi ku duhet. Gjithsesi, kemi dhënë shenja pozitive në tre ndeshjet miqësore. Ekipi ka bërë progres në anën fiziko-taktike dhe në qartësinë e lojës.

Shpresojmë që në javë përgatitore për ndeshjen e parë të kampionatit të punojmë më shumë për të harmonizuar lojën, sidomos nga ana taktike. Në futboll duhet të jesh i saktë nga ana taktike për të pasur rezultate. Ndaj Korabit ishte një ndeshje e fortë me një kundërshtar direkt. Dibranët kanë ekip të mirë-përgatitur, pavarësisht fitores sonë 1-0.

U bë një ndeshje e bukur dhe jam i kënaqur me ekipin, pasi po tregon rritje. Fillimi i përgatitjeve me vonesë ka bërë që lojtarët të marrin ngarkesa të larta dhe kjo bëri që dhe dy–tre lojtarë të kenë probleme fizike, kontraktime muskulore, por shpresoj të kalojnë pa pasoja”. Përveç të lënduarve ndaj Korabit, te krutanët të dëmtuar janë edhe Zhivanaj me Hoxhën.

SHKËLQIM HASANI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"