Trajneri Bubeqi “hedh dorashkën”: Me dy-tre afrime, Kastrioti pretendent kryesor

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 16, 2024 | 16:00

Trajneri Bubeqi “hedh dorashkën”: Me dy-tre afrime, Kastrioti pretendent kryesor

Kastrioti e nis sezonin e ri në Kategorinë e parë nën drejtimin e trajnerit kavajas, Dorian Bubeqi. Edhe pse puna ka nisur me vonë në kampin krutanë, optimizmi nuk mungon.

DORIAN BUBEQI

Pas fitores në miqësoren me Vlabonën, për “Panorama Sport” trajneri Bubeqi tregon situatën te Kastrioti, si dhe pritshmëritë nga merkatoja, ku sipas tij ekipi ka nevojë edhe për disa lojtarë të tjerë.

Edhe pak ditë na ndajnë nga fillimi i kampionatit, cili do të jetë objektivi kryesor i krutanëve dhe a ju bind ky kontigjent lojtarësh?

Për momentin jemi shumë larg objektivave që ne kërkojmë. Na duhen edhe dy-tre lojtarë. Nëse këto afrime bëhen realitet, e them me bindje të plotë se ne do të jemi pretendentë kryesorë. Në të kundërt edhe me këtë grup lojtarësh do të mundohemi me sakrifica të arrijmë objektivin, që dhe në fund të jemi në 4 vendet e para.

Cilin repart konsideroni si më të rëndësishmin për të ndërhyrë?

Kemi nevojë në të tria repartet për dublantë dhe për të krijuar konkurrencë mes lojtarëve, që janë për momentin në 11-shen bazë.

Si e patë ekipin në testin që zhvilluat ndaj Valbonës?

Ekipi po pëson rritje dita-ditës. E kam deklaruar edhe më parë, që në miqësore nuk i shoh rezultatet, pasi ato janë stërvitja më e mirë, ku lojtarët përballen me kundërshtarë direkt. Kjo është stërvitja më e mirë që mund të bëjë një trajner ose një ekip, ndaj unë i vlerësoj këto teste në maksimum. Nga dueli me Valbonën jam i kënaqur, pasi nga ndeshja e parë në të dytën, ekipi po rritet e forcohet. Nëse do të plotësohen edhe ato kërkesat që thamë më lart, e deklaroj me bindje të plotë, se ne do të jemi pretendentët kryesorë. Në të kundërt, do të mundohemi shumë dhe me sakrifica të arrijmë objektiva që përmenda.

Kur ka mbetur edhe gati një javë nga fillimi i kampionatit, do të luani ndonjë miqësore tjetër, apo do të fokusoheni te ndeshja e parë e kampionatit në transfertë kundër Pogradecit?

Duke qenë se ne kemi nisur vonë fazën përgatitore, jemi munduar për të kapur kohën e humbur duke zhvilluar nga dy seanca stërvitore në ditë, pra me ngarkesë të plotë deri në fund të javës. Kemi planifikuar edhe një ndeshje tjetër miqësore me Korabin të shtunën. Pavarësisht kësaj, nuk do ta ulim ritmin e stërvitjes që do të jetë me ngarkesë të lartë, para kësaj sfide. Më pas do të fokusohemi te java e ndeshjes anti-Pogradec.

ABDULLA DUSHKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"