Trajneri Canaj pas fitores në Tropojë: Dolëm nga fundit, tani nis kampionati i Korabit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 22, 2024 | 19:05

Trajneri Canaj pas fitores në Tropojë: Dolëm nga fundit, tani nis kampionati i Korabit

Korabi mori një fitore me vlera në transfertën e Tropojës, ku falë golit të Taulant Markut dibranët kanë dalë nga zona e “e ftohtë”. Fillimi nuk ka qenë i mirë, pasi pas tetë javësh kanë tetë pikë, por trajneri Agim Canaj beson te grupi që ka.

Agim Canaj

Ai vlerësoi pikët që morën me Valbonën dhe duke pasur në vijim dy ndeshje në shtëpi, pret një Korab tjetër. Pas suksesit me Valbonën, në lidhje me vazhdimësinë e Korabit deri në merkaton e dimrit trajneri Agim Canaj, për “Panorama Sport”, u shpreh: “Na kanë ikur gjashtë lojtarë nga sezoni i shkuar dhe zëvendësuesit po mundohemi t’i ingranojmë nga ndeshja në ndeshje. Po mundohemi që të gjithë grupin ta fusim në punë, duke kryer rrotacione në formacion. Ndaj Valbonës, tre lojtarë që luajtën në ndeshjen e fundit nuk u aktivizuan, si pjesë e rrotacionit që bëjmë në skuadër. Kjo vjen edhe nga mënyra e vendosjes së skuadrës, sepse situatat i kemi pozitive. Zhvillojmë lojëra të mira por problematikën e kemi pasur te shfrytëzimi i rasteve. Dhe finalizimi.

Shpërdorimi i rasteve na ka mundur, duke e futur skuadrën në presion Shpresojmë shumë, pasi Marku u çlirua, shënoi një gol me peshë ndaj Valbonës dhe këtë gjë ta bëjnë edhe të tjerët, që të jemi pak më të qetë në finalizimin e aksioneve. Unë e kam pasur gjithmonë besimin te grupi dhe e kam shprehur këtë gjë, por kur nuk vijnë rezultatet, pastaj ngërçi bëhet shumë i madh dhe rëndohet ana psikologjike. Gjithsesi, ne i kemi marrë gjërat me qetësi për të kaluar më pas te marrja e pikëve. U thashë edhe çunave para ndeshjes se tani nis kampionati i Korabit. Kemi një finale me një ekip që ndodhet në pikë të barabarta.

Pra do të mundohemi që të marrim sa më shumë pikë. Ndonjëherë edhe loja duhet lënë anash, sepse mungesa e pikëve na godet, pasi kemi një skuadër me lojtarë me eksperiencë, por edhe shumë të rinj që kanë ardhur gjatë merkatos së verës për të zëvendësuar 6 të larguarit. Lojtarët e rinj duan kohët e tyre, por shpresoj shumë që nga ndeshja në ndeshje të rikuperojmë pikët e lënë rrugës, të pakët në ndeshjet që kemi brenda këtij viti”.

ABDULLA DUSHKU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"