Trajneri Canaj: Përforcimet cilësore janë të nevojshme për vazdimësinë e Korabit në kampionat
Pas barazimit pa gola të arritur ndaj Erzenit në miqësoren e së shtunës, e gjithë vëmendja në kampin dibran është përqendruar te ndeshja e javës së 18-të, ku kampionatin e rinisin në transfertë ndaj Flamurtarit.
Jo vetëm nga pozicionet që kanë skuadrat në renditje, por dhe nga synimet, ndeshja e së shtunës paraqet mjaft interes në kampet respektive, ku vlonjatët luftojnë për kreun, ndërsa dibranët për t’u distancuar nga zona “e ftohtë”. “Ndeshjet miqësore na shërbejnë gjithmonë për mirë dhe na ndihmojnë për të parë nga afër gjendjen e futbollistëve. Kështu ndodhi dhe me Korabin në testin ndaj Erzenit. Skuadra dibrane ka tregues pozitiv, por kemi edhe nga ato që duhet përmirësuar. Duke ditur se koha për zhvillimin e ndeshjes ndaj Flamurtarit është shumë afër, vëmendja është përqendruar te përgatitja e skuadrës për transfertën e Vlorës”, u shpreh për “Panorama Sport”, numri një i pankinës dibrane, Agim Canaj.
Ashtu si çdo skuadër, edhe Korabi i drejtuar nga trajneri kryeqytetas e ndjen të nevojshme përforcimin e grupit me elementë cilësorë. Një fakt të tillë e përforcon dhe trajneri Canaj, që mes të tjerash u shpreh: “Duke parë nga afër dobësitë që kemi pasur në disa pozicione, marrja e futbollistëve cilësor është mjaft e domosdoshme për të përballuar pjesën e mbetur të kampionatit. Shpresojmë të marrim futbollistët e duhur për pozicionet që ne i kemi të nevojshme”. Pas 17 javësh, skuadra dibrane është pozicionuar në vendin e dhjetë me 16 pikë, pozicion që nuk i shkon përshtat Korabit, që në përgjithësi në sezonet e fundit ka qenë te skuadrat që luftonin për ngjitjen në Superiore.
NDERIM GOCI-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"