Trajneri Çela e ka Kukësin e plotë, llogarit vetëm 3 pikët në transfertën e Shijakut…
Stafi teknik i Kukësit është duke dhënë udhëzimet e fundit në kuadër të ndeshjes së nesërme me Erzenin. Edhe pse luhet në transfertë, blutë do të synojnë të marrin maksimumin e mundshëm.
Bëhet fjalë për një rival direkt në luftën për mbijetesë në Kategorinë e Parë dhe në Kukës synojnë që të paktën me skuadrat që nuk janë më mirë se ata në renditje, të marrin pikët që u nevojiten. Kjo është mundësia më e mirë për të qenë sa më larg zonës së ftohtë. Lajmi i mirë për trajnerin Emiljano Çelën para kësaj ndeshjeje është se nuk do të ketë asnjë mungesë, pasi nuk ka të skualifikuar dhe as të dëmtuar. Nga ana tjetër, edhe vetë tekniku rikthehet në stol, pasi në sfidën e kaluar me Burrelin, së bashku me ndihmësin e tij Bekim Kuli, ishin në tribunë, për shkak të kartonit të kuq të marrë me Besën.
Barazimi në Burrel tregoi se Kukësi i ka lënë pas dy humbjet e thella në javët e kaluara dhe se nuk i mungon potenciali për paraqitje pozitive, qoftë edhe në ndeshje transferte. Sa u përket shijakasve, blutë i kanë mundur 1-0 në “Kukës Arena”, me golin e kapitenit Mario Beshiraj. Shpresohet edhe rikthimi te goli i sulmuesit kryesor, që prej disa javësh nuk e ka gjetur rrugën e rrjetës.
Vladimir Mema- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"