Trajneri Çela karikon Kukësin para vlonjatëve: Kam grup cilësor, ringrihemi shpejt

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 17, 2024 | 12:54

Trajneri Çela karikon Kukësin para vlonjatëve: Kam grup cilësor, ringrihemi shpejt

Kukësi luan sot, ora 16:00 në “Kukës Arena”, me një nga pretendentët e këtij edicioni, Flamurtarin. Verilindorët vijnë pas dy humbjeve radhazi në kampionat, në një kohë që do të kërkojnë të dalim me një rezultat pozitiv nga kjo përballje.kuli, cela, kociNë prononcimin e dhënë për “Panorama Sport”, trajneri Emiljano Çela, pohon se janë munduar të rregullojnë disa gjëra gjatë kësaj jave për të qenë gati. Edhe pse ishte në stol me Apoloninë pak ditë më parë, debutimin e vërtetë do ta bëjë me vlonjatët. “Situata është e mirë. Pavarësisht se u ula në pankinë në ndeshjen me Apoloninë pa asnjë seancë stërvitore me ekipin, për mua kjo me Flamurtarin është ndeshja debutuese si trajner i Kukësit. Është një grup i ri, i gërshetuar dhe me disa lojtarë shumë cilësore dhe me eksperiencë.

Ajo çka konstatova në ndeshjen e parë, por edhe gjatë këtyre ditëve që jemi stërvitur, ekipi ka probleme fizike. Jemi munduar të rregullojmë sa të mundemi këto ditë, lojtarët kanë përqendrim dhe dëshirë, ndaj besoj se do të ringrihemi shumë shpejt”, u shpreh fillimisht tekniku i Kukësit. Më tej, ai vlerëson ish-skuadrën e tij, Flamurtarin, por ka besim se Kukësi do të përfitojë diçka nga ky takim. “Flamurtari për këtë kategori, por edhe në Superiore, është gjithmonë pretendent për emrin dhe historinë që ka ky klub, por edhe për investimet që ka bërë.

Çdo ndeshje ka historinë e vet, kështu që shpresoj të përfitojmë diçka nga ky takim”, mbylli prononcimin e tij për gazetën trajneri i Kukësit. Verilindorët kërkojnë patjetër pikë në këtë përballje, për vetë faktin se luajnë në shtëpinë e tyre dhe për më tepër që duan të bëjnë kthesën, pasi vijnë pas dy humbjeve radhazi.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"