Trajneri Çela: Kukësi po rritet si ekip, në Kupë vendosi shpirti i garës
Kukësi duket se ka gjetur ekuilibrat në skuadër në periudhën e fundit, pasi të besuarit e trajnerit Emiljano Çela kanë marrë rezultate pozitive si në kampion, por edhe në Kupën e Shqipërisë. Të mërkurën verilindorët siguruan biletën për në turin e tretë të Kupës, ku më 15 janar 2025 i pret Laçi.Më shumë se sa kalimi i këtij turi në Kupë, për Kukësin kishte rëndësi paraqitja e ekipit në fushë përballë një skuadre që e ka rival direkt edhe në Kategorinë e Parë. Në fund të ndeshjes me Pogradecin, trajneri Emiljano Çela i gëzohet asaj që dhanë djemtë në fushën e lojës, në një kohë që i jep merita edhe kundërshtarit për nivelin e lojës që tregoi. “Ishte një ndeshje me nivel shumë të mirë, ku pati ritëm dhe intensitet. Ishte vërtet si një ndeshje e rëndësishme, kjo falë edhe meritës të ekipit kundërshtar. Pogradeci ishte shumë i organizuar dhe u paraqit në një mënyrë dinjitoze. Ne punojmë gjithnjë, jemi në një proces pune dhe tani ka shkuar mirë.
Në këtë ndeshje jam shumë i kënaqur nga paraqitja e të gjithëve. Një fitore që erdhi nga shpirti i garës, përqendrimit dhe punës që djemtë bëjnë çdo ditë. Në çdo ndeshje pres fitore dhe sa herë hyjmë në fushë duam fitoren”, u shpreh fillimisht tekniku i verilindorëve. Më tej, Çela pohon se skuadra po pëson rritje dhe po konsolidohet, por thekson se ende kanë nevojë të shkojnë aty ku duhet, sepse edhe ekipi është i mbushur me djem të rinj. “Gradualisht ekipi do të vijë në konsolidim, sepse është një grup me shumë djem të rinj. Çdo ndeshje është një eksperiencë dhe stërvitje e mirë. Patjetër që kemi nevojë për të zhvilluar intuitën dhe përmirësuar eksperiencën”, mbylli prononcimin e tij për mediat pas fitores me përmbysje ndaj Pogradecit, duke i dhënë mundësinë verilindorëve të jenë ende në garë për trofeun e Kupës, ku në turin e tretë do të përballen me Laçin.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"