Trajneri Çela sfidon Memën në debutim, Kukësi do kualifikimin në Kupë kundër Pogradecit
Ndonëse në situatën që ndodhet Kukësi nuk ka luksin të mendojë për gjë tjetër veç kampionatit, sërish një mendje e ka tek kupa. Nuk duhet harruar se janë finalistët e edicionit të fundit kur askush nuk besonte që mund të shkonin aq larg.
Qoftë edhe për këtë motiv, blutë do të tentojnë të qëndrojnë sa më gjatë të munden, por asnjëherë pa hequr vëmendjen nga kompeticioni më i rëndësishëm, siç është kampionati. Të paktën, për aq kohë sa kalendari do t’i vërë përballë kundërshtarë të kalueshëm dhe pa diferenca, verilindorët do të tentojnë të marrin maksimumin. E tillë është situatë edhe në këtë tur, ku do të sfidojnë rivalët e Pogradecit, një skuadër e cila i ka mundur në kampionat. Përballjen në kupë të besuarit e Emiljano Çelës e luajnë në shtëpinë e tyre, aty ku pretendojnë se janë më të fortë dhe që mund të marrin rezultatin.
Në Kukës, edhe të paktën kalimin e këtij turi e shohin si një detyrim moral, ndaj do të bëjnë detyrën për të mos dështuar, pasi mbi të gjitha e shohin edhe si një mundësi për të vijuar serinë e rezultateve pozitive në kampionat, ku vijnë pas një barazimi dhe fitoreje në transfertë. Mbetet për t’u parë nëse Çela do t’u japë mundësinë atyre që nuk kanë pasur shumë minuta në dispozicion apo do ta shohë si një ndeshje kampionati. Për momentin në kampin blu nuk raportohet për mungesa si shkak dëmtimesh.
Vladimir Mema-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"