Trajneri debutoi me fitore në Kupë. Luga: E njoh situatën e Erzenit, të gjithë bashkë e kalojmë ngërçin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 18, 2024 | 11:58

Trajneri debutoi me fitore në Kupë. Luga: E njoh situatën e Erzenit, të gjithë bashkë e kalojmë ngërçin

Skuadra e Erzenit pas fitores në turin e parë të kupës me skuadrën e Naftëtarit dhe kualifikimin për më tej në turin e dytë me skuadrën e Valbonës, ka optimizëm tashmë te djemtë e skuadrës shijakase për vazhdimësinë.

ergys luga

Kjo shikohet edhe te tekniku i skuadrës, Ergys Luga, i cili u prezantua në fillim të javës nga drejtuesit e klubit. Luga njihet mirë në ambientet e stadiumit “Tofik Jashari”, por edhe nga tifozëria e zjarrtë e këtij qyteti që e duan aq shumë futbollin. Trajneri Luga, për “Panorama Sport”, foli për zhvillimin i seancave stërvitore, kualifikimin e skuadrës, si dhe ecurinë e mëtejshme në marrjen e rezultateve pozitive në kampionat. “Pavarësisht kohës të shkurtër që kam me skuadrën, jam munduar të punoj me të gjithat forcat e mia me organikën e futbollistëve që kam në dispozicion. Për momenti jam i kënaqur me djemtë, pasi kanë dëshirë për t’u stërvitur edhe pse pjesa më e madhe janë të rinj.

Ju kam kërkuar para ndeshjes që të luajnë dhe të japin maksimumin dhe për këtë jam i kënaqur pasi kanë zbatuar detyrat që ju kisha dhënë”, u shpreh luga pas fitores me Naftëtarin. Në lidhje me gjendjen skuadrës në renditje, që mban vendin e fundit, me 1 pikë në 7 javë, trajneri Ergys Luga u shpreh: “Jam njohur me situatën që po kalon skuadra si asnjëherë tjetër dhe për këtë më vjen keq. Madje kjo është edhe arsyeja që jam këtu, duke pasur edhe mbështetjen e presidenti dhe gjithë stafit për të kaluar këtë ngërç në këto rezultate”.

Trajneri Luga debutimin në kampionat në krye të pankinës së Erzenit do ta bëjë të dielën në Shijak, ku presin kryesuesit e Besës. “Unë bashkë me gjithë skuadrën do të jap maksimumin për të marrë rezultat pozitiv. Jo çdo gjë tregon realiteti në renditje, fatmirësisht organikën e kam të plotë. Në takimin të luajtur në transfertë me Lushnjën, skuadra jonë ka zhvilluar një lojë të mirë, ku ishin pranë fitores dhe me raste të shumta. Në futboll duhesh të kesh edhe fat dhe presoj që ta kemi nga ndeshja e radhës me Besën”, përfundoi trajneri Luga.

ALBERT ALIKO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"