Trajneri Dorian Bubeqi: Ja arsyet pse u largova nga Kastrioti, një ditë mund të kthehem
Ish- trajneri i Kastriotit, Dorian Bubeqi, i dorëhequr pas humbjes në shtëpi me Vorën, tregon arsyet e largimit nga krutanët. Trajneri kavajas mori drejtimin e Kastriotit tri javë para fillimit të kampionatit.
Nën drejtimin e Bubeqit, në 7 ndeshje, Kastrioti mori 10 pikë. 4 takime janë luajtur në transfertë, ndërsa tri të tjera në shtëpi. Megjithatë, pikët e grumbulluara duket se nuk i kanë kënaqur drejtuesit e klubit, pasi objektivi i caktuar prej tyre është dalja në Superiore. Për këtë shkak drejtuesit kanë humbur durimin, ndaj janë detyruar që të ulen në bisedime me trajnerin Bubeqi. Humbja e fundit në Fushë Krujë ndaj Vorës, bëri që palët të ndajnë rrugët mes tyre. Thuhet se kjo ka ndodhur me mirëkuptim.
Të paktën kështu pohon për “Panorama Sport” trajneri Bubeqi, i cili gjithashtu e lë të hapur derën për një rikthim te Kastrioti. Trajneri kavajas tregon për “Panorama Sport” se si erdhi largimi i tij nga Kastrioti: “Unë dhe presidenti i klubit u mirëkuptuam për këtë vendim dhe u ndamë si miq. Kam lexuar shumë në rrjetet sociale, por e vërteta është kjo që unë po ju them. U ndamë si miq edhe pse nuk duhet që kjo të kishte ardhur kaq shpejt, vetëm pas 7 javësh kampionat. Nuk i dihet në të ardhmen, mundet të bashkëpunojmë sërish. I uroj suksese Kastriotit në vazhdim”.
SHKËLQIM HASANI-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"