“Trajneri duhet të jetë i gëzuar”. Kapiteni Canka: Fitorja e Lushnjës pritej, por jo aq e thellë
Trajneri Erion Xhafa duket se ka recetën e duhur për të ringritur verdhejeshilët. Lushnja fitoi 5-0 me Kukësin, ndërsa kapiteni Mikel Canka futet në fushën e lojës nga stoli dhe shënoi dy herë. Ai vjen nga një dëmtim dhe është 37 vjeç, por shënon një dygolësh në harkun kohor të 11 minutave.
Në një prononcim për “Panorama Sport” sulmuesi lushnjar u shpreh: “Është një kënaqësi e veçantë, edhe pse nuk isha në 100%, pasi vij nga dëmtimi i rëndë që pësova në Burrel. Gjeta forcë të hyj në fushë dhe të shënoj. Më vjen mirë që ndihmova skuadrën tim me dygolëshin ndaj Kukësit. Këtë ia dedikoj familjes verdhejeshile”. Një fitore me 5 yje ishte një dhuratë mirëseardhje për trajnerin Erion Xhafën. “Përderisa ndeshja shkoi me shifrat e thella, 5-0, besoj se trajneri Xhafa është më se i kënaqur me këtë rezultat. Askush nuk e priste që do të shkonte kështu. Besonim te fitorja, por jo me goleadë”, vijoi Canka.
Futbolli të mban të karikuar, teksa të enjten lushnjarët do të luajnë transfertën me Flamurtarin. Tashmë nga Lushnja pritet vazhdimësia. “Kemi punë për të bërë. Kjo ndeshje iku dhe duhet të mendojmë për sfidat e radhës. T’i marrim një e nga një, për të arritur rezultate të mira. Nëse do të jemi të përqendruar dhe të karikuar të bëjmë detyrat tona, ashtu siç kërkon trajneri, dhe çdo lojtar të japë maksimumin dhe më të mirën e tij, atëherë kam besim se do të jemi një “kockë” e fortë në këtë kampionat”, e mbylli kapiteni i lushnjarëve. Pas fitores me Kukësin, verdhejeshilët kanë 12 pikë dhe janë ngjitur në vendin e gjashtë në sajë të golavarazhit më të mirë se Pogradeci, që ka të njëjtët pikë me lushnjarët.
ALBAN ALUSHI- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"