Trajneri Gega: Prisni spektakël kundër Kukësit, Valbona nuk e diskuton fitoren

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 22, 2024 | 15:30

Trajneri Gega: Prisni spektakël kundër Kukësit, Valbona nuk e diskuton fitoren

Valbona do të presë të dielën Kukësin në stadiumin “Vëllezërit Gega” dhe tropojanët kanë punuar gjatë gjithë javës për t’u rikthyer sërish te fitorja.

emiljano gega valbona

Në këtë takim Valbona do të ketë në pankinë edhe trajnerin Emiliano Gega, i cili e ka shlyer pezullimin dyjavor të dhënë nga Disiplina, pas barazimit në Burrel.

“Valbona-Kukësi është një ndeshje e vështirë ndërmjet dy skuadrave diametralisht të kundërta në këtë kategori. Dihet që ne vijmë si debutues nga e Dyta dhe kuksianët nga Superiorja, por fitoren nuk duhet ta diskutojmë. Jam dënuar me pa të drejtë nga një gjyqtar krejtësisht i njëanshëm në Burrel, në kohën që unë protestoja për një karton të kuq ndaj futbollistit matjan, që e goditi në fytyrë lojtarin tonë Elvis Kovaçi. Ndëshkimi ndodhi në kahun e kundërt. Edhe pse mungova në pankinë në dy ndeshjet e fundit, skuadra ka në përbërje shumë lojtarë që e dirigjojnë lojën e Valbonës edhe nga fusha, siç është kapiteni Agustin Mashi. Kemi edhe lojtarë të tjerë të përvojës, por gjithçka ka qenë në orientimin e zv.trajnerit Osman Qelia. Kundër Kukësit do të shikoni spektakël nga ekipi ynë që është rritur shumë. Të gjithë lojtarët gëzojnë formë të mirë sportive. Mos prisni rezultat tjetër përveç fitores së Valbonës. Skuadra jonë nuk do ta diskutojë kurrë mbijetesën, pasi do të jemi gjithmonë në mesin “e artë” të tabelës, duke lënë disa ekipe pas nesh”, deklaroi për “Panorama Sport” trajneri i Valbonës dhe njëkohësisht drejtor sportiv i këtij klubi, Emiliano Gega.

ABDULLA DUSHKU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"