Trajneri Gjoka: Skënderbeu reagoi me Partizanin, nuk do të ruaj lojtarë në Kupë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 15, 2025 | 9:40

Trajneri Gjoka: Skënderbeu reagoi me Partizanin, nuk do të ruaj lojtarë në Kupë

Skënderbeu ka mbyllur përgatitjet dhe është gati për ndeshjen e së mërkurës përballë Vorës, e vlefshme për Kupën e Shqipërisë. Trajneri Gjoka ka dalë në konferencën e zakonshme për mediat një ditë para ndeshjes duke theksuar se do ta vlerësoje maksimalisht këtë përballje.

gjoka

Barazimi me Partizanin ka rritur moralin dhe ka rikthyer besimin te skuadra bardhekuqe ndaj edhe për këtë, trajneri i Skënderbeut Ernest Gjoka kërkon ta mbajë skuadrën të karikuar dhe të rrëmbejë një fitore përballë kundërshtarit të radhës.

Si e vlerësoni ndeshjen kundër Partizanit, duke marrë parasysh që është një ekip i fortë dhe që ka pësuar disa ndryshime? Partizani është një skuadër e fortë, megjithëse kanë pësuar disa largime të rëndësishme nga radhët e tyre. Gjithsesi, kanë ruajtur cilësinë dhe vazhdojnë të jenë një kundërshtar i vështirë. Ne bëmë gabime që na kushtuan, por skuadra tregoi karakter dhe dëshirë për të arritur një rezultat pozitiv. Jemi duke punuar që të minimizojmë këto gabime dhe të japim maksimumin në çdo ndeshje.

Si e vlerësoni reagimin e skuadrës në pjesën e dytë dhe a ka vend për përmirësim? Reagimi në pjesën e dytë ishte pozitiv, megjithëse synimi ynë ishte që të merrnim tre pikët. Nëse do të kishim shënuar herët në pjesën e dytë, ndoshta do të kishim pasur mundësi të fitonim ndeshjen. Megjithatë, përpjekjet dhe dëshira e ekipit ishin të dukshme, dhe kjo na bën optimistë për të ardhmen.

Ndeshja e radhës në Kupë do të luhet në Bilisht. Sa e vështirë do të jetë të luani në kushte të ndryshme nga ato të zakonshmet? Është e vështirë, sidomos për shkak të kushteve të ndryshme të fushës, por ne do të japim maksimumin për të kaluar në raundin tjetër. Kupa është një objektiv për ne, dhe do të bëjmë çmos që të arrijmë sa më larg.

A do të bëni rotacione në formacion për Kupën, duke marrë parasysh angazhimet në kampionat? Jo, nuk jemi në pozicion për të “ruajtur” lojtarë. Do të përzgjedhim lojtarët më të mirë që kemi në dispozicion, duke marrë parasysh edhe problemet fizike të disa prej tyre. Përparësia jonë është të jemi kompetitivë në të dyja frontet, si në kampionat ashtu edhe në Kupë.

Si e shihni situatën e merkatos dhe a do të ketë afrime të tjera? Mendoj që skuadra ka ende nevojë për përforcime. Nëse klubi dhe drejtuesit gjejnë lojtarë cilësorë dhe me eksperiencë, kjo do të ndihmojë shumë ekipin. Aktualisht kemi një ekip me moshë të re, por kombinimi i të rinjve me disa lojtarë me eksperiencë është thelbësor për të marrë maksimumin.

LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"