Trajneri i Apolonisë nuk ka dyshime, Rodriges: Ia shkaktojmë ne humbjen e parë Bylisit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 29, 2023 | 10:25

Trajneri i Apolonisë nuk ka dyshime, Rodriges: Ia shkaktojmë ne humbjen e parë Bylisit

Apolonia është gati të sfidojë Bylisin. Kanë shansin e madh që t’i afrohen kreut dhe me këtë mision do të zbresin të dielën në fushë. Luajnë në “Loni Papuçiu” dhe me tifozët në krahë, do ta kenë më të thjeshtë. Këtë të paktën e përmend edhe Jeraj Rodriges, gjatë një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”.

Rodriges

Edhe pse do të ketë dy mungesa në mesin e fushës (Bejzade i pezulluar dhe Yasin i dëmtuar), trajneri nuk shqetësohet. Nuk e quan përcaktues këtë 90- minutësh, por është i vetëdijshëm se fitorja ndaj Bylisit do t’i ndihmonte në renditje dhe… moral.

Prisni kryesuesit të dielën, si është gjendja e skuadrës para kësaj sfide?
E kënaqshme do të thoja. Të gjithë lojtarët kanë punuar fort, me seriozitet e përgjegjshmëri ditë pas dite. Ndihem shumë mirë që janë tejet ambiciozë e kërkues. Nuk reshtin kurrë së mësuari dhe kjo do të thotë që janë profesionistë të vërtetë. Po bëjnë gjithçka që është e mundur për të ruajtur këtë trend rezultatesh pozitive, veçanërisht ndaj Bylisit kryesues.

I prishi ndopak planet tuaja kartoni i kuq i Bejzades dhe dëmtimi i Yasinit?
Pak, por nuk jam i shqetësuar. Pjesa tjetër e ekipit është e gjitha e plotë dhe e gatshme për takimin e së dielës. Do të shpresojmë që të bëjmë zgjedhjet e duhura. Unë besoj te çdo lojtar që kam në dispozicion, sepse janë gjithmonë gati dhe shumë të motivuar sa herë thirren në detyrë.

Do të luani vetëm për tri pikët dhe a i druheni ndopak Bylisit që nuk e njeh humbjen në 8 javë?
Patjetër që po, sepse ky është mentaliteti ynë. E kemi përgatitur këtë ndeshje në mënyrën më të mirë të mundshme, deri në detajet më të vogla, por edhe duke analizuar mirë kundërshtarin. Bylisi meriton dhe ka sigurisht vlerësim maksimal, por Apolonia luan vetëm për tri pikët. Me këdo, kudo e kurdoherë, objektivi ynë është gjithmonë fitorja.

Barazimin nuk e fusni në llogaritë tuaja?
Ne synojmë gjithnjë të japim më të mirën tonë në fushë, prandaj edhe pikët e plota janë shpërblimi ynë i vetëm, pas orësh e ditësh të tëra stërvitjesh intensive. Jemi të vetëdijshëm për të gjitha vështirësitë, por e ritheksoj se e kemi përgatitur më së miri këtë sfidë. Thjesht dhe vetëm pres që lojtarët e mi të japin 200%, sepse vetëm kështu mund t’i shkaktojmë humbjen e parë Bylisit.

Sa përcaktuese është kjo sfidë?
Ky 90-minutësh nuk është as përcaktues, as vendimtar. Ju rikujtoj që nuk është mbyllur ende faza e parë. Rruga e kampionatit është e stërgjatë dhe janë shumë javë për t’u luajtur, pra është shumë shpejt për të thënë që ndikon. Ama e pranoj sigurisht që është një ndeshje e rëndësishme, por sido që të jetë rezultati, nuk vendoset asgjë këtë të diel.

Ndiheni të favorizuar nga faktori fushë?
Po, patjetër. Do të kemi tifozët në krahë.

Keni një mesazh për sportdashësit fierakë?
I pres të vijnë të shumtë në numër. Si lojtarët, ashtu edhe unë, kemi nevojë për mbështetjen, përkrahjen dhe entuziazmin e tyre në shkallët e stadiumit. Ata janë lojtari i 12-të dhe me stadiumin të tejmbushur, Apolonia është edhe më e fortë dhe e bashkuar ndaj Bylisit.

HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"