Trajneri i Apolonisë, Pajaziti: Mundim këdo, Erzeni duhet marrë me seriozitet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 1, 2025 | 11:25

Trajneri i Apolonisë, Pajaziti: Mundim këdo, Erzeni duhet marrë me seriozitet

Bardhejeshilët kanë përfunduar përgatitjet për ndeshjen me Erzenin, që do ta luajnë sot në orën 13:30 në “Tofik Jashari”. Në një intervistë për “Panorama Sport”, trajneri i Apolonisë, Sedat Pajaziti tha, se të besuarit e tij do të kërkojnë fitoren në Shijak, pasi meritojnë të ngjiten edhe më lart në tabelë.

SEDAT PAJAZITI APOLONIA

Apolonia i është më afër se kurrë “play off”-it… Jam shumë i kënaqur që me lojërat dhe rezultatet tona kemi arritur që të rikthejmë entuziazmin dhe të kemi më shumë vetëbesim. Nëse vazhdojmë me këtë vendosmëri dhe dëshirë, pa pasur eufori, por duke qëndruar me “këmbë në tokë” dhe duke respektuar të gjithë kundërshtarët, unë kam bindjen se ne do t’ia dalim të ngjitemi edhe më lart në tabelë.

Si e shihni duelin me Erzenin e vendit të fundit? Ndeshjen me Erzenin e vendit të fundit e shoh mjaft interesante dhe të vështirë. Erzeni, pavarësisht renditjes është një kundërshtar i fortë, me lojtarë me kualitet në çdo repart, ndaj meriton respektin maksimal. Ritheksoj, se do të luajmë një ndeshje shumë të vështirë, por jemi përgatitur për të bërë më të mirën tonë në këtë takim. Na duhet që në ndeshjen e radhës në Shijak të bëjmë më të mirën dhe të marrim pikët e plota. Ne e kemi përgatitur ndeshjen me seriozitet si gjithmonë dhe të ndërgjegjshëm për forcën tonë. Thënë kjo, do të kërkojmë të fitojmë çdo ndeshje.

Si është situata para Erzenit dhe a jeni të plotë? Duke qenë se vijmë pas dy fitoreve radhazi, normalisht që situata është shumë e mirë. Jemi të plotë, me përjashtim të sulmuesit Maksuti dhe mbi të gjitha në formë të mirë sportive, gati për t’i dhënë vazhdimësi lojës dhe rezultateve pozitive.

A është në gjendje Apolonia të arrijë vendin e gjashtë? Apolonia është në gjendje të përballet dhe të fitojë me këdo. Ne do të kërkojmë të fitojmë çdo ndeshje, duke filluar nga takimi i radhës në Shijak. Ky do të jetë mentaliteti që duhet të na shoqërojë deri në javën e fundit dhe pastaj do të shohim ku do të jemi. Jemi shumë të ndërgjegjshëm që na presin përpara javë shumë të vështira, pasi çdo ndeshje ka specifikën e vet. Skuadra është përgatitur për të përballuar çdo situatë.

HILMI SALIU-PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"