Trajneri i Besës: Pesë afrime me peshë dhe jemi pretendentë. Shpresoj që Bizhdili t’i bindë
Lorenc Pashja bën llogaritë për një Besë pretendente. Trajneri i emëruar vetëm 10 ditë më parë në stolin e kavajasve, i ka idetë e qarta për sezonin 2023-2024.
Që të realizohet plani, duhet sigurisht merkato. Dhe jo dosido, por cilësore. Gjatë një deklarate të dhënë enkas për “Panorama Sport”, peqinasi konfirmon atë që tha edhe presidenti dy ditë më parë për gazetën. Kanë planifikuar 5 afrime dhe nëse i marrin, 45-vjeçari mendon se do të jenë aty ku të gjithë duan.
“Nëse realizohen këto afrime, atëherë këtë sezon ekipi do të jetë pretendent për rikthimin në elitën e futbollit shqiptar. Kemi kohë që diskutojmë me presidentin Nexhat Bizhdili mbi riformatimin e grupit. Ai më ka siguruar se të gjithë futbollistët që kanë kontratë me Besën nuk do të largohen. Dihen tashmë, pesë kanë ikur, por janë ata që nuk kishin një kontratë aktive”, kështu tha fillimisht për “Panorama Sport” tekniku, teksa tregoi planet për ndërtimin e skuadrës së sezonit të ri dhe paralajmëroi se nuk do të ketë largime në radhët e atyre që kanë kontratë.
PRETENDIMET DHE MERKATOJA Ndonëse nuk dëshiron të zbulojë emrat pa ardhur firmat, dukshëm shfaqet optimist lidhur me ecurinë e bisedimeve.
“Jemi në bisedime me 5 elementë cilësorë dhe shpresoj që ‘Xhati’ t’i bindë ata. Nëse këta futbollistë do të bëhen pjesë e grupit, kam bindjen se Besa do të jetë ndryshe nga ajo e viteve të fundit. Do të jemi ndër pretendentet kryesore për ngjitjen në elitë. Kemi mjaft lojtarë të rinj në organikë, të cilët kanë cilësi dhe mbi të gjitha tani kanë fituar edhe përvojën që mund t’u mungonte dikur. Sigurisht që krahas tyre, ne do të afrojmë edhe këtë radhë lojtarë të rinj të talentuar. Me pak fjalë, kam besim se do të jetë një ekip më i fortë se sezonin e shkuar”, theksoi numri një i pankinës kavajase, që një sezon më parë drejtonte Luzin 2008.
MUNGESA E STADIUMIT Përtej optimizmit të Pashjës, verdhezinjtë edhe këtë sezon do të luajnë jashtë Kavajës. Edhe pse është një minus jo i vogël, trajneri nuk e sheh këtë si shqetësimin kryesor. Ai mendon se ky handikap do të sfumohet nëse do të bëjnë merkaton që kanë në plan.
“Nëse do të arrijmë të realizojmë atë merkato që kemi piketuar, besoj se do të minimizojmë në maksimum mungesën e faktorit fushë. Sigurisht që këtu pjesa më e dëmtuar janë tifozët tanë, por kryesore mbetet forca e ekipit. Një skuadër e kompletuar fiton edhe jashtë fushës së vet. E përsëris, pa anashkaluar aspak faktorin fushë, mua si trajner më intereson ndërtimi i një Bese të fortë. Të tjerat i diskutojmë më vonë”, përfundoi tekniku.
FERIZ FERIZAJ-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"