Trajneri i Burrelit, Bicaj: Ishim pranë fitores me Korabin, tani mundim Pogradecin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 13, 2024 | 10:25

Trajneri i Burrelit, Bicaj: Ishim pranë fitores me Korabin, tani mundim Pogradecin

Matjanët kanë marrë një pikë me vlerë në barazimin e marrë në transfertën e Peshkopisë. Pas hapit fals me Valbonën, për llogaritë e javës së dytë, në “Liri Ballabani”, ishte krijuar mendimi se në ndeshjen ndaj Korabit, skuadra do të pësonte humbjen e parë në kampionat, por në realitet ndodhi e kundërta e psikozës së krijuar më parë.

bicaj

Skuadra tregoi personalitet në fushën e lojës, duke qenë superiore ndaj vendasve. “Ishte një ndeshje e fortë mes dy skuadrave rivale dhe fqinje me njëra-tjetrën. Nëse analizojmë me kujdes ndeshjen, sidomos me rastet e krijuara në pjesën e dytë, skuadra duhet të kishte dalë me tre pikë. Kemi humbur disa raste të pastra, madje dhe me portë bosh, që me pak kujdes përfundimi do të ishte ndryshe. Të vjen keq që nuk arritëm të merrnim maksimumin e pikëve. E rëndësishme është që skuadra është në rrugën e rezultateve pozitive.

Gjej rastin të komplimentoj skuadrën për grintën dhe lojën e zhvilluar, duke përballuar me dinjitet një ndeshje të vështirë sikurse ishte kjo me Korabin”, thotë mes të tjerash, numri një i pankinës matjane, Ditmar Bicaj. Ndërkohë, drejtuesit matjanë nuk kanë humbur kohë. Paraditen e djeshme, skuadra ka nisur nga përgatitjet për ndeshjen e radhës kundër Pogradecit që do të zhvillohet në fundjavë në “Liri Ballabani”. Skuadra e ndarë në dy grupe (formacioni bazë, seancë e lehtë), ndërsa pjesa tjetër ka zhvilluar seancë të plotë stërvitore. “Këtë javë do të presim në fushën tonë Pogradecin. Vlerësimi ndaj kundërshtarit do të jetë maksimal, do të mbledhim forcat për te gjetur rrugës e fitores si të vetmin objektiv që kemi për këtë ndeshje”, tha në fund të komentit, numri një i pankinës matjane.

NDERIM GOCI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"