Trajneri i dibranëve kërkon që FSHF-ja të marrë masat. Canaj: Korabi, në këtë gjendje edhe nga gjykimet kundër
Trajneri i Korabit, Agim Canaj, pranon gjendjen jo të mirë të ekipit që ai drejton. Anatemon gjyqtarët, që sipas tij kanë pasur ndikimin e tyre në gjendjen në të cilën ndodhet Korabi i Peshkopisë, që pas javës së 14-të është pozicionuar në vendin e 10-të, me 14 pikë.
Dibranët kanë arritur 3 fitore, 3 barazime dhe 8 humbje dhe me golavarazh negativ 11-20 “lundrojnë në ujërat e turbullta”, që të çojnë një kategori më poshtë. Pavarësisht kësaj gjendje, në ndeshjen e fundit në transfertën e vështirë të Burrelit, Korabi arriti të marrë një pikë shprese siç e cilësoi edhe trajneri Canaj. “Ecuria e skuadrës në këto javë nuk ka qenë aspak e mirë. Për hir të së vërtetës, situata ka qenë e vështirë, por shpresoj që të ketë kaluar. Shkëndijat e para u dhanë në përballjen ndaj Burrelit, ku morëm një pikë shprese, duke pasur parasysh faktin se luanim në një transfertë të vështirë dhe ndaj një ekipi më kualitativ se sa ne, siç është Burreli. Për këtë i komplimentoj djemtë”, tha fillimisht Canaj për “Panorama Sport”.
Ai pranon gjendjen jo të mirë që po kalon ekipi dhe ngre alarmin duke shigjetuar “xhaketat e zeza”, për gjykimet jo korrekte ndaj Korabit. “Trupat gjykuese ndaj ekipit të Korabit, në përgjithësi, kanë qenë tendencioze duke e ndëshkuar ekipin në vazhdimësi. Ky fakt më shqetëson tej mase dhe nuk e di arsyen pse ka ndodhur kështu. Druhem se kjo klimë ‘armiqësore’ dhe ndëshkuese ndaj nesh do të vijojë edhe në të ardhmen. Nëse vazhdohet kështu, do t’i bëhet një dëm i madh jo vetëm Korabit, por futbollit në përgjegjësi. Natyra ime nuk është që të merrem me gjyqtarët, por situata është përkeqësuar në atë shkallë, saqë është tejkaluar çdo limit. Sa nuk është vonë, FSHF-ja përmes sektorit të arbitrimit duhet të marrë masa të jashtëzakonshme për të garantuar gjykime të drejta dhe lënë të luhet futboll i pastër në fushë. Më pas, le të fitojë më i miri”, përfundon prononcimin e tij trajneri Agim Canaj.
MARTIN DEDAJ- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"