Trajneri i Kosovës paralajmëron Rumaninë, Franko Foda: Jemi gati për fitore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 11, 2024 | 19:38

Trajneri i Kosovës paralajmëron Rumaninë, Franko Foda: Jemi gati për fitore

Franko Foda ka folur në konferencë për shtyp, për situatën aktuale te Kosova në prag të ndeshjes me Rumaninë. Sfida do të luhet në Bukuresht, më 15 nëntor ora 20:45 dhe vlen për raundin e katërt në Ligën e Kombeve.

FRANKO Foda

Trajneri gjerman e nisi duke folur për dëmtimet, ndërsa shtoi se janë të gatshëm për fitore. Franko Foda deklaroi:

“Fatkeqësisht i kemi disa lëndime. Në dispozicion nuk i kemi Leart Paqaradën, Emir Sahitin, Ermal Krasniqin, Milot Rashicën dhe Bersant Celinën. Me ekipin e trajnerëve kemi vendosur që të ftojmë edhe dy lojtarë të rinj, Art Smakajn dhe Zymer Bytyqin. Tani i kemi për herë të parë në dispozicion Leard Sadriun dhe Baton Zabërgjën.

Po, sigurisht janë lojtarë të rëndësishëm ata që mungojnë. Krasniqi ka shënuar dy gola, Rashica ka cilësitë e veta sidomos me shpejtësi dhe përvojë. Por tani krijohet shansi për lojtarë të rinj. Do të gjejmë zëvendësuesit e tyre.

Dje kam biseduar me Rashicën. Ai kishte dhembje dhe për këtë arsye nuk është në gjendje  të luajë. Për mendimin tim nuk është dashur të luante as për Beshiktashin. Edhe me Celinën kemi kontaktuar. E ka një tronditje të lehtë të trurit dhe nuk mund të luajë në ditët e ardhshme. Për këtë arsye duhet të jemi të kujdesshëm kur bëjmë përzgjedhjen e lojtarëve.

Vendi i parë është ende i arritshëm, por për këtë duhet ta fitojmë lojën në Rumani. Në tri ndeshjet e fundit kemi treguar futboll të mirë. Jam i kënaqur në përgjithësi me ekipin, por jo edhe tepër i kënaqur, pasi është dashur të shënonim më shumë gola. Duhet t’i bëjmë disa përshtatje në ekip për shkak të lëndimeve. Por nisemi me vetëbesim dhe energji shumë pozitive në Rumani. Jemi të gatshëm dhe dëshirojmë të fitojmë. Ndeshjet e fundit do të vendosin për pozitën e parë.

Rumania i ka kualitetet e veta në mesfushë, por edhe Kosova ka kualitetet që do t’i shfrytëzojmë. Me rëndësi është të luajmë me shumë vetëbesim.

Duhet të përmirësohemi tutje dhe duhet të mbesim të uritur për sukses. Fitoret e fundit janë shumë të mira, të japin ndjenjë të mirë. Por futbolli nuk i përket të kaluarës. Futbolli i përket të tashmes. Tani kemi ndeshjen me Rumaninë dhe duhet të japim maksimumin për fitore. Në Rumani mund të fitojmë vetëm nëse të gjithë lojtarët e japin maksimumin dhe i tejkalojnë kufijtë e tyre”, u shpreh Franko Foda.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"