Trajneri i liqenorëve, optimist për të ardhmen e ekipit, Nikaj: Pogradeci pa panik, në Lushnjë ndikoi fusha

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 4, 2024 | 13:35

Trajneri i liqenorëve, optimist për të ardhmen e ekipit, Nikaj: Pogradeci pa panik, në Lushnjë ndikoi fusha

Pogradeci, me stofin e debutuesit, sezonin e ri në Kategorinë e Parë e ka nisur me një fitore në shtëpi dhe një humbje në transfertë. Në këto 180 minuta të para të kampionatit ekipi ndodhet brenda pritshmërive. Liqenorët janë rikthyer pas dy sezonesh në të Parën, por trajneri Nikaj thotë për “Panorama Sport” se do të mundohen të bëjnë një kampionat sa më të mirë, duke parë gjithnjë për lart.

SAMUEL NIKAJ

Tekniku shkodran i Pogradecit theksoi se nuk ka vend për panik pas humbjes me Lushnjën, por duhet të shikojnë nga ndeshja e radhës. “Sfida e fundit me Lushnjën ishte një ndeshje e luftuar. Kryesisht, një përballje me luftë të fortë sportive. Terreni nuk na la mundësi për të bërë futboll të mirë, megjithatë pati ritëm dhe dyluftime nga të dy ekipet si dhe pati ego të fortë sportive. Me një episod u zgjidh ajo ndeshje. Kishim edhe ne dy-tre rastet tona, që nuk i konkretizuam. Gjithsesi, Lushnja e meritoi fitoren, ndërsa ne si Pogradec do të shohim përpara që të riparojmë gabimet e pikasura gjatë ndeshjes. Problemi u bë fusha, pasi ishte në gjendje shumë të keqe. Nuk të linte mundësi të luajë futboll. Lushnja është qytet me traditë dhe duhet me pas fushë më të mirë. Nga kundërshtari në kundërshtar, nga fusha në fushë, normalisht ndryshojnë shumë gjëra.

Terrenin e stadiumit tonë në Pogradec e kemi shumë të mirë, por tek ekipi kemi vend për përmirësim. Jemi një skuadër e riformatuar. 50% e grupit është ai që ka qenë në Kategorinë e Dytë, ndërsa 50% janë lojtarë të ardhur. Kjo kërkon kohën e vet për harmonizimin e skuadrës. Në ndeshjen me Kastriotin patëm tri raste dhe shënuam 3 gola. Me Lushnjën kishim dy-tre raste, por nuk konkretizuam. Ky është futbolli. Ne do të punojmë që t’i riparojmë në vazhdim ato të metat, që pamë. Do të mundohemi të bëjmë një kampionat sa më të mirë. Të shikojmë gjithmonë për lart, jo për poshtë. Nuk kemi çfarë diskutojmë shumë, kur skuadra si Flamurtari humb edhe në fushën e vet. Normalisht, humbja e Pogradecit në Lushnjë është diçka që nuk duhet ta bëjmë alarmante. Nuk duhet të futemi në panik, thjeshtë të vazhdojmë punën për ndeshjen e radhës”, deklaroi për “Panorama Sport” trajneri i liqenorëve, Samuel Nikaj. Në javën e tretë Pogradeci pret në shtëpi Besën, padyshim një duel force për liqenorët.

ALBAN ALUSHI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"