Trajneri i Liverpulit joshet nga Kupa e Ligës: Luftojmë për çdo trofe, duhet durim me Kiezën
Arne Slot tha se ishte inkurajuar nga rikthimi i Federiko Kiezës në lojë në fitoren 2-1 të Liverpulit në çerekfinalen e Kupës Karabao kundër Sauthemptonit.
Por trajneri i “Reds”-ave mendon se do të duhet ende kohë që anësori të përmirësohet në shpejtësi. Kieza, një transferim surprizë nga Juventusi gjatë verës, luajti për herë të fundit për Liverpulin pothuajse tre muaj më parë dhe u aktivizua në pjesën e dytë në “St Mary’s” të mërkurën mbrëma.
“Nëse një lojtar është jashtë fushës për pesë apo gjashtë muaj, nuk mund të presësh që ata të jenë në maksimumin e tyre”, tha tekniku holandez. “Pashë ulje dhe ngritje. Pashë disa momente vërtet të mira dhe pashë disa momente ku u ndjeva sikur, në rregull, mund të bësh më mirë sesa kjo. Për mua, kjo është krejtësisht normale nëse një lojtar ka qenë jashtë për kaq gjatë dhe luan ndeshjen e tij të parë në pesë ose gjashtë muaj”.
Slot shtoi: “E kam thënë edhe më parë se kjo e bën gjithashtu kaq të vështirë për mua, sepse normalisht në një fazë përgatitore një lojtar luan tre, katër ose pesë ndeshje. Dhe më pas ai ka vetëm katër ose pesë javë. Ai ishte jashtë për kaq shumë kohë, kështu që ta kthesh atë në nivelin e tij më të mirë nuk është e lehtë. Por ishte mirë të shihje se ai tregoi disa cilësi. E njëjta gjë për të, si edhe për të rinjtë. Nuk mjafton të luash në këtë nivel. Duhet të konkurroni me Mo Salah, Kodi Gakpo, Luço (Luis Diaz), Darvin (Nunjez) Diogo (Zhota). Por është mirë të shohësh se ai është rikthyer dhe ai gjithashtu pati disa momente të mira në lojë”.
Liverpuli preu biletën në gjysmëfinalet e trofeut që kërkon të mbrojë dhe Kupa e Ligës mund të jetë trofeu i parë që Slot mund të fitojë në “Anfield”. Me një rrugë të shtruar në Champions dhe Premier Ligën që kryesojnë, Slot mendon se skuadra e tij është në gjendje që të luftojë në të gjitha frontet: “Ne do të luftojmë për çdo trofe. Dhe nuk jam aspak i befasuar që jemi në garë në të gjitha kompeticionet. Kjo është normale për Liverpulin, të konkurrojë për të fituar çdo trofe”.
ANDROKLI DRALO-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"