Trajneri i parë i Rrahmanit, rrëfehet Ilir Sopi: Si e larguan nga Vllaznia

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 25, 2023 | 13:05

Trajneri i parë i Rrahmanit, rrëfehet Ilir Sopi: Si e larguan nga Vllaznia

Trajneri i parë i Amir Rrahmanit te moshat, Ilir Sopi, ka treguar në për mediat kosovare se si Vllaznia nuk u bind për të mbajtur mbrojtësin kampion të Napolit në vitin 2012. Në një rrëfim të gjatë të padëgjuar më parë, Sopi ka zbuluar detaje edhe të takimit me presidentin e Partizanit, Gazmend Demi.

ilir sopi

“Për Rrahmanin fillimisht kam biseduar me Armir Grimën, të cilit i thash se duhet të më ndihmosh për një djalë që ka kapacitete. Në atë kohë Amiri ishte te Drenica. E marr Rrahmanin dhe e dërgoj te Vllaznia e Shkodrës, ku ishte edhe Ilir Nallbani, i cili gëzonte respekt të jashtëzakonshëm dhe aty biseduam me Grimën, ndërsa trajner ishte Shpëtim Duro.

Amiri për 22 ditë ishte në fazë përgatitore me Vllazninë dhe më pas klubi iku në Mal të Zi për të vijuar përgatitjet, por e hoqën nga lista. Më pas bisedova me Grimën që me një marrëveshje ta dërgojmë në huazim te Kastrioti i Krujës.

Shkova në Pogradec, ku Kastrioti ishte në përgatitje, dhe aty u takova me zyrtarët e klubit. Amiri filloi edhe fazën përgatitore me Kastriotin e Krujës, por ata kërkuan disa kushte të vështira.

Pra, Amiri të nënshkruante kontratë me Kastriotin dhe jo me Vllazninë. Unë këtë nuk e lejova, sepse ekipet ku ai ishte rritur si Kosova e Prishtinës, Ramiz Sadiku dhe Drenica, humbnin të ardhura, që sot i gëzojnë. Pastaj e ktheva Amirin. Unë doja që në një formë huazimi Drenicës t’ia siguroja 6 mijë euro, se në atë kohë ishin para të mëdha në futbollin kosovar.

I dhashë fjalën Amirit që do ta çojë në Shqipëri dhe në vitin 2013 nisi bashkëpunimi me Partizanin. Kemi bërë marrëveshje dhe kontratën e parë me futbollistin, por trajneri nuk kishte guxim ta aktivizonte. Kishte frikë, derisa iu afrova presidentit Gaz Demi dhe i kërkova ta inkuadronte për 15 minuta dhe do të bindesh.

Amiri mori minutat dhe më pas asnjëherë nuk është tërhequr nga klubi i Partizanit. Pas këtij momenti, kaloi te Kombëtarja U-19 e Shqipërisë ku ishte trajner Foto Strakosha, i cili e pa Rrahmanin dhe u bind. Amiri më pas ka fluturuar në Turqi me ekipin U-21 të Shqipërisë me Skender Gegën dhe u kthye te Partizani. Ka treguar një karakter të lartë”, ka thënë trajneri i parë në Kosovë i mbrojtësit.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"