Trajneri i Skënderbeut, Gvozdenoviç: Kam ekip të fortë, pres edhe 3-4 afrime

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 14, 2024 | 9:31

Trajneri i Skënderbeut, Gvozdenoviç: Kam ekip të fortë, pres edhe 3-4 afrime

Skënderbeu mbyll sot dy javët e para të përgatitjeve dhe në Korçë të paktën për momentin, gjithçka është brenda pritshmërive. Me gjashtë lojtarë të afruar dhe disa të tjerë në provë, korçarët duket se kanë mbushur ekipin pas disa largimeve dhe përgatitjet po ecin në mënyrën më të mirë të mundshme.

gvozdenovic

I kënaqur nga këto dy javë përgatitjesh është edhe vetë trajneri i Skënderbeut Ivan Gvozdenoviç, i cili në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, vlerëson maksimalisht merkaton e deritanishme dhe lojtarët që janë bashkuar me ekipin në këtë dritare transferimesh. “Jemi në fund të javës së dytë dhe kemi përparuar me përgatitjet duke shtuar ngarkesën e ekipit me elemente të rinj dhe cilësorë, të cilët deri në këto momente kanë treguar vlera dhe se mund të shtojnë cilësinë e këtij ekipi.

Jemi duke punuar shumë në aspektin e përgatitjeve fizike për të ndërtuar një skuadër të fortë fizikisht, që do të përballojë një kampionat të fortë dhe të gjatë. Ende asgjë nuk është mbyllur përfundimisht, pasi merkato ka edhe një muaj e gjysmë, që do të vijojë të jetë e hapur. Prandaj edhe për këtë duhet të presim zhvillimet e tjera. Por ajo që vlen të theksoj për momentin është fakti që ne kemi ndërtuar një grup të mirë dhe boshti do të jetë ky. Do të plotësohet edhe me tri apo katër elemente të tjerë, por që gjithçka do të jetë në varësi të lëvizjeve në dalje. Nuk mund të flasim me siguri për një merkato të mbyllur, pasi do të presim deri në fund se çfarë do të ndodhë në ditët në vijim. Sa u përket lojtarëve të rinj që janë afruar te ne në provë do të duhet ende disa kohë për t’i parë më mirë. Për këtë do të na ndihmojnë testet miqësore për të parë më mirë në kushte loje lojtarët”, theksoi trajneri i Skënderbeut, Ivan Gvozdenoviç.

MIQËSORET – Deri në këto momente edhe vetë klubi bën zyrtare pesë ekipet dhe ditët kur do të luhen këto ndeshje. Në këtë mënyrë miqësorja e parë ka kohë që është zbuluar, teksa Skënderbeu të martën e ardhshme do të luajë në Ptolemaidë ndaj Kalithea, skuadrës së Superligës greke dhe ky do të jetë testi hapës i kësaj faze përgatitore verore.

Më pas skuadra do të kthehet në qytetin juglindor, atje ku do të luajë edhe 4 ndeshje të tjera miqësore, të gjitha në stadiumin “Skënderbeu”. Miqësorja e dytë do të jetë kundër Vorës të mërkurën e 24 korrikut dhe tre ditë më vonë, më 27 korrik në Korçë do të udhëtojë një skuadër e Superligës për t’u përballur me Skënderbeun. Në stadiumin juglindor, Skënderbeu-Elbasani do të jetë testi i tretë miqësor për bardhekuqtë. Për sa i përket muajit gusht, dy miqësoret e para janë ato kundër Besës dhe Flamurtarit, skuadra të Kategorisë së Parë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"