Trajneri i Tomorit, Droboniku: Nuk shkojmë për t’u mbrojtur, pres rezultat pozitiv ndaj gjirokastritëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 18, 2024 | 21:30

Trajneri i Tomorit, Droboniku: Nuk shkojmë për t’u mbrojtur, pres rezultat pozitiv ndaj gjirokastritëve

Beratasit janë duke punuar gjatë kësaj jave, për të qenë të gatshëm për javën e parë të kampionatit të ri. Tomori do të konkurrojnë këtë sezon në Kategorinë e Dytë dhe në premierën e kampionatit do të përballet me Luftëtarin e Gjirokastrës.

iken droboniku tomori

Të dy ekipet konsiderohen si skuadra me tradita dhe pritet të rivalizojnë mjaft fort të dyja së bashku gjatë këtij sezoni në Grupin B. Ato do të kërkojnë të ndajnë mes tyre vendin e parë, që të mundëson ngjitjen direkt në të Parën.  Takimi do të luhet në fushën asnjanëse të Delvinës, Pasi stadiumi i Gjirokastrës është në proces rikonstruksioni. Në Berat, për shkak të cilësive dhe pretendimeve të kundërshtarit, nuk e cilësojnë aspak si një favor faktorin “fushë”. Në prag të këtij takimi trajnerit beratas Iken Droboniku, për “Panorama Sport” u shpreh:

“Për ne do të ishte njësoj sikur të luanim edhe në Gjirokastër. E rëndësishme është që po punojmë për strategjinë e këtij takimi, ku në Delvinë nuk do të shkojmë për t’u mbrojtur. Ne jemi Tomori dhe do të paraqitemi në nivelin e emrit dhe historisë që kemi. Synojmë ta nisim kampionatin me një rezultat pozitiv dhe skuadra më bind për punën që po kryen, enkas për Luftëtarin. Optimizmi është në shkallën më maksimale”. Sakaq, në stafin e skuadrës është rikthyer edhe përgatitësi i portierëve, Madrid Muxhaj. Ndërkohë, Tomori do të akomodohet ditën e shtunë në Sarandë.

EDI SPAHIU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"