Trajneri i Tomorit hedh “thumbime” pas ndeshjes: Po të kisha Luftëtarin, nuk vija me arbitër me vete në Berat
Humbja e pësuar nga Luftëtari në shtëpi, duket se ka lënë shenjë te drejtuesit dhe futbollistët e Tomorit, por nuk kanë munguar edhe komentet dhe pakënaqësi në kampin beratas. Trajneri Iken Droboniku në analizën e zhvilluar para seancës së djeshme ka marrë në mbrojtje skuadrën e tij.
Tekniku beratasve nuk ka lënë pa shigjetuar edhe Luftëtarin, që sipas tij meriton kryesimin për investimin e kryer, por nuk duhet të kërkojë favorizime nga gjykimi. Në lidhje me situatën e fundit, për “Panorama Sport” trajneri Droboniku u shpreh: “Ashtu siç e kishim përgatitur ndeshjen ndaj kryesuesve të grupit, edhe e kemi zbatuar në fushë me një lojë gjithë grinte. E vlerësoj maksimalisht paraqitjen e ekipit, por rezultati final nuk pasqyron realisht atë çka dhamë dhe meritonin të dy skuadrat në këtë takim. Asnjëherë nuk i kushtoj kohë dhe vëmendje polemikave, si në fushë dhe jashtë saj.
Vetëm se në këtë rast nuk dua të fsheh dy ndjesi. Luajtëm si të barabartë dhe nuk e meritonim humbjen, pavarësisht se kemi në skuadër futbollistë të rinj, që nuk e përballonin dot presionin e një ndeshje kaq delikate. Realisht na u mohua një penallti e pastër, që në rastin më të mirë do të na kishte dhënë avantazhin. Ndjesinë e dytë e kam me skuadrën gjirokastrite, që i uroj suksese në misionin për rikthimin në Kategorinë e Parë. Me investimin që kanë kryer, si dhe me përbërjen që kanë, unë po të isha trajner i Luftëtarit nuk do të pranoja që të vija në Berat për t’u favorizuar nga gjyqtarët. Ne do të vazhdojmë punën për realizimin e objektivit me mundësinë e ndeshjeve kualifikuese”.
EDI SPAHIU-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"