Trajneri i Vllaznisë, Brdariç: Asgjë rastësisë në Kupë, Besa të nxjerr telashe
Intensiteti i ndeshjeve tashmë rritet. Pas fitores në kampionat me Tiranën festa ka përfunduar shpejt, pasi Vllaznia luan sot në kupë kundër Besës. Trajneri Tomas Brdariç, në konferencën për shtyp foli për këtë përballje.
Gjermani theksoi se Vllazni është totalisht e përqendruar te kjo ndeshje dhe nuk e nënvlerëson aspak kundërshtarin. Trajneri Brdariç ka komentuar atmosferën në skuadër, por edhe merkaton. Ai ka pranuar se pritet edhe një afrim tjetër, por edhe që do të ketë largime.
Brdariç, si vjen Vllaznia në ndeshjen me Besën në kupë? E kemi përgatitur këtë duel me seriozitet maksimal. Nuk duhet të mendojmë aspak se ku dhe në çfarë kategorie ndodhet skuadra kundërshtare. Kanë disa lojtarë cilësorë dhe po ashtu kanë ndërruar trajner së fundmi. Nuk duam t’i lëmë asgjë rastësisë dhe ndeshja është përgatitur në çdo detaj nga ana jonë.
I keni marrë masat për të ndaluar elementët e spikatur te kavajasit siç mund të jetë Mazrekaj? Besa është një ndër ekipet që kryeson në Kategorinë e Parë dhe ka pretendime për ngjitjen. Kam ndjekur disa ndeshje të tyre nga momenti kur shorti na ra me ta. Së fundmi i ndoqa në ndeshjen kundër Burrelit në kampionat dhe e dimë ku janë pikat e forta dhe të dobëta të tyre. Nuk duhet t’i lejojmë të veprojnë, do të bllokojmë pikat e tyre të forta e po ashtu do t’i godasim kur duhet. Vllaznia e ka kapacitetin të sulmojë dhe të fitojë.
Mund të ketë rotacion në këtë ndeshje? Do të shohim sot (dje) në stërvitje. Mund të ketë disa lëvizje në formacion, e kemi një ide. Skuadra nuk ka zhvilluar shumë ndeshje në 4 javët e fundit, prandaj dhe rotacioni nuk do jetë i plotë, pavarësisht se kemi ndeshje sërish në fundjavë.
Mensah debutoi kundër Tiranës, mund të jetë radha e Repajt për të zbritur në fushë? Të gjithë do të kenë shansin e tyre për të treguar vlerat. Besoj se do të vijë edhe momenti për Repajn, sepse ai është stërvitur mirë dhe duket i gatshëm. Kemi besimin maksimal tek ekipi që kemi në dispozicion dhe lojtarët që do të zbresin në fushë.
Sa e vështirë mund të jetë një ndeshje në kupë, ku dihet që nuk ka duel kthimi? Prandaj nuk i duhet lënë asgjë rastësisë, nuk duhet t’i komplikojmë situatat. Skuadra duhet të futet me mentalitetin e duhur në fushë, sepse një gabim apo nënvlerësim mund të kushtojë shtrenjtë. Besa ka ekip me eksperiencë dhe mund të na nxjerrë telashe.
Atmosfera duket e mirë pas fitores me Tiranën. Sa do të arrijë Vllaznia të ecë në këtë rrugë? Si fillim, është gjithmonë kënaqësi kur fiton derbin. Sepse ke moral të dyfishtë për të vijuar. Ne i marrim ndeshjet një e nga një për të ecur në këtë rrugë suksesi. Ekipi po plotësohet nga dita në ditë, i kemi futbollistët dhe cilësitë për të bërë mirë edhe në të ardhmen.
Do jetë pretendente edhe në kupë Vllaznia, si në kampionat? Ndeshjet e kupës, si asnjëherë tjetër, janë luajtur shumë vonë këtë sezon. Jemi në janar dhe maji vjen shumë shpejt për të luajtur në fazën finale të kompeticionit. Objektivi ynë është të ecim sa më mirë dhe sa më larg në të dy kompeticionet. Nuk ka zgjedhje, por vetëm përqendrim dhe dhënia e maksimumit në çdo 90-minutësh.
Për merkaton presidenti theksoi se pritet edhe një lojtar. Po largime, do të ketë? Ne mirëpresim gjithmonë futbollistët cilësorë dhe që mund të bëjnë diferencën. Për largimet mund të them se ekipi ka investuar shumë te disa futbollistë dhe në ditët në vijim mund të vendoset për të ardhmen e disa prej tyre.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"