Trajneri Ismail Çira: Erzeni meritonte fitoren, edhe një pikë është mirë në Lushnjë
Takimi i luajtur të shtunën në stadiumin “Roza Haxhiu” midis Lushnjës dhe Erzenit, ka përfunduar me rezultatin e bardhë 0-0, ku shijakasit arritën që të fitonin edhe pikën e parë. Ka qenë një takim i luftuar deri në fund dhe me shumë raste të shpërdoruar nga skuadra shijakase.
Erzeni, edhe pse po kalon një moment të vështirë sa u takon rezultateve që sollën edhe dorëheqjen e trajnerit Justin Bespalla, ia del të gjejë forca edhe pse pjesa më e madhe e grupit të futbollistëve janë të rinj. Zv.trajneri, Ismail Çira, i cili po drejton shijakasit, mendon se renditja nuk tregon gjithmonë gjendjen reale të ekipit. Erzeni, sipas tij, nuk e meriton pozicionin që mban në renditje, pasi ka zhvilluar lojëra të mira si brenda fushës së vet ashtu edhe jashtë saj. Në futboll duhet të kesh edhe pak fat. Në lidhje me takimin e luajtur me verdhejeshilët thotë:
“Në Lushnjë luajtëm mjaft mirë, deri në fund të takimit. Kemi shpërdoruar raste të pastra për shënim, me Oulare, Hodo, Duraku etj. Ishim pranë fitores, por nuk ia dolëm. Gjithsesi, edhe marrja e një pike është shumë për ne, pasi përballë kishim një skuadër si Lushnja, që është e vështirë në fushën e saj. Tani na pret një analizë me skuadrën për të nxjerrë detyrat që na dalin për takimin e radhës në kampionat ndaj Besës së Kavajës”. Drejtuesit janë në bisedime dhe pritet që brenda javës të mësohet edhe emri i trajnerit të ri të shijakasve, pasi pankina ka mbetur bosh pas dorëheqjes së trajnerit Justin Bespalla.
ALBERT ALIKO- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"