Trajneri Justin Bespalla “zbërthen” Erzenin e ri: Jam i kënaqur nga ekipi
Erzeni, edhe pse i organizuar vonë, po jep sinjale pozitive për ecurinë në sezonin e ri futbollistik, ku shijakasit në edicionin 2024-2025 do të militojnë në Kategorinë e Parë. Trajneri i Erzenit, Justin Bespalla, ka mbetur i kënaqur nga ekipi i tij me atë që dha në testin e fundit me Lushnjën, që e fituan në shifrat 1-0.
Në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport” pas fitores, trajneri i skuadrës shijakase tha se në miqësoren me Lushnjën ka kërkuar që lojtarët të bënin një lojë të mirë. “Ekipi, për aq ditë sa ne jemi grumbulluar, u paraqit mirë. Jam i kënaqur nga loja e skuadrës. Në miqësoren me Lushnjën synuam, që lojtarët e afruar të bënin një lojë të mirë dhe të kujdesshme. Kishim përpara një ekip me tradita, siç është Lushnja. Më e rëndësishme është se kishim përballë një ekip që e ka filluar stërvitjen shumë kohë para nesh.
Kuptohet si mund të jetë gjendja e ekipit, kur nuk e kemi patur kohë në dispozicion për të bërë një fazë përgatitore të mirë. Jam munduar të bëj një ekip simpatik me djem të rinj dhe që luajnë futboll me dëshirë. Janë djem që vrapojnë dhe luftojnë. Kemi djem që duan të evidentohen. Ekipin do ta shohim hap pas hapi. Lojtarët që kemi afruar janë të rinj, me dëshirë, që e njohin mirë Kategorinë e Parë dhe që kanë dëshirë”, deklaroi pas miqësores me Lushnjën, trajneri i Erzenit Justin Bespalla.
Alban Alushi
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"