Trajneri Mërgjyshi sinjal titullarëve, s’ka të pazëvendësueshëm. Rikthimet “ngrohin” stafin e Apolonisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 16, 2024 | 21:00

Trajneri Mërgjyshi sinjal titullarëve, s’ka të pazëvendësueshëm. Rikthimet “ngrohin” stafin e Apolonisë

Kur ka mbetur një javë nga nisja e sezonit të ri, Apolonia po i jep dorën e fundit përgatitjeve për startin. Programi stërvitor është alternuar edhe me ndeshje miqësore, e fundit ishte ajo me Besën në Fier që përfundoi 2-2. 

APOLONI

Rezultati në të tilla raste është në plan të dytë. Më shumë rëndësi ka loja dhe fierakët treguan një nivel të kënaqshëm, edhe pse u pësuan dy gola ndaj kavajasve. Apolonia u pa me ritëm më të lartë në krahasim me miqësoren e mëparshme me Partizanin. Përpos kësaj, ajo që e gëzon më shumë stafin teknik të fierakëve është kompletimi thuajse total i skuadrës. Të gjithë lojtarët që kanë pasur probleme fizike, duket se i kanë lënë pas ato. Në testin me Besën u kthye në fushën e lojës pas 5 muajsh mungesë, Jasin Umar Rajab. Mesfushori i qendrës po fiton ritmin dalëngadalë dhe mund të jetë një opsion për të luajtur si titullar që startin e kampionatit.

Një tjetër lojtar i rikthyer në miqësoren ndaj Besës, madje me dy gola, ishte sulmuesi Umejiego, i cili vuante nga një dëmtim në hundë. Tashmë shtatlarti është rikuperuar dhe rikthimi i tij e qetëson jo pak trajnerin Mërgjyshi, duke ditur se fierakët kanë pak alternativa në sulm. Klubi mbetet në merkato për të gjetur një tjetër sulmues para se të nisë sezoni i ri. I vetmi që mungon tek Apolonia është Erald Maksuti. Sulmuesi shkodran vuan një dëmtim në gju dhe kërkon edhe pak kohë që të rikuperohet. Me shumë mundësi, ai do të jetë gati për trajnerin Mërgjyshi pas ndërprerjes së kampionatit në fillim të shtatorit. Situata aktuale e gëzon stafin teknik, pasi ka më shumë opsione përzgjedhëse për formacionin.

Trajneri Mërgjyshi po preferon lojtarët që tregojnë më të mirën në fushën e blertë, duke mos gjykuar nga emri, apo nga fakti se janë konsideruar afrime të rëndësishme të merkatos. Në miqësoren e fundit u pa që mbrojtësi Kofi dhe mesfushori Musa e filluan si titullarë, ndoshta një mesazh për të gjithë, se askush nuk është i pazëvendësueshëm. Trajneri Mërgjyshi e ka ndryshuar jo pak edhe kursin në drejtim të aktivizimit të lojtarëve. Në pesë miqësoret e zhvilluara kanë marrë minuta të konsiderueshme portieri i ri Etem Xhemali, 17 vjeç, Kofi, Folorunsho, Zhozef, Topi, Musa dhe Injehu apo sulmuesit Çulli, Kalice dhe Eugen Ramadani.

HILMI SALIU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"