Trajneri Mirel Josa: Besa nuk e ndryshon sjelljen, Kupa vlen njëlloj si kampionati

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 14, 2024 | 12:31

Trajneri Mirel Josa: Besa nuk e ndryshon sjelljen, Kupa vlen njëlloj si kampionati

Besa po e shfrytëzon në maksimum këtë ndërprerje të kampionatit për të rikuperuar disa nga lojtarët e dëmtuar. Kujtojmë, se në dy takimet e fundit në Fier e Burrel, si Goxhaj ashtu edhe Mazrekaj luajtën të dëmtuar.

BESA FESTE ME JOSEN

Kavajasit do të presin të mërkurën Tërbunin e Pukës në turin e parë të Kupës së Shqipërisë. Sfida pritet të luhet në aneksin stërvitor të Egnatias, në fshatin Lekaj. Kjo, për faktin se stadiumi i Luzit është i zënë, pasi vendësit do të presin Shkumbinin. Besa ka hyrë me ide të qarta në këtë sezon, pasi kërkon ngjitjen në Superiore pas një dekade. Gjithsesi kavajasit nuk do të lënë pas dore as Kupën, pasi trajneri Mirel Josa thotë se Besa do t’i vlerësojnë njësoj të dyja kompeticionet. Duke parë shortin e Kupës në turet e ardhshme apo edhe ecuria në kampionat, mund të lëvizin synimet. “Për ne nuk do të ketë ndryshim vlerësimi mes Kupës dhe kampionatit.

Do t’i vlerësojmë të dyja njësoj. Në ndeshjen e Kupës, sigurisht që do të ketë rrotacion për t’i dhënë mundësi atyre që kanë më pak minuta në këmbë. Do të testojmë gjendjen që ata kanë, por do ta vlerësojmë maksimalisht edhe Kupën e Shqipërisë”, u shpreh trajneri i verdhezinjve, Mirel Josa. Në kampionat, Besa ka aktivizuar rregullisht thuaje një 11-she. Josa ka preferuar ta ruajë stabilitet nga java e parë, edhe 4-5 futbollistë të tjerë janë përdorur si zëvendësues. Dabo, i ardhur me vonesë për arsye dokumentacioni, tashmë është një alternativë e fortë konkurruese.

Kujtojmë se sezonin e shkuar, Dabo ishte ndër lojtarët bazë dhe më të dalluar te Besa. Ndërkohë, që turku Mert Kurt apo edhe Flavjo Meçja, Myslym Ramilli, Ersi Kapo, Skerdjan Perja apo dhe portieri Doranajt Ahmetaj, janë aktivizuar pak ose aspak. Përjashtim bën mesfushori Gjinaj, që javët e fundit po gjen hapësira si zëvendësues ashtu si Ibrahimi e Ncube. Në këto kushte, duket se edhe stoli verdhezinjve mbetet me plot alternative dhe role të dubluara. Me shumë mundësi trajneri Josa do t’i testojë në Kupë ndaj Tërbunit pjesën dërrmuese të alternativave. Në fundjavë, Besa do të luaj në transfertë, ku në javën e 8-të do të përballet me Erzenin në Shijak. Sfida e Kupës ndaj Tërbunit pritet t’i japë trajnerit Josa të dhëna mbi gjendjen që zotërojnë disa nga futbollistët e stolit, për të pasur kështu alternative të bollshme në Shijak. Në Shijak, Besa do të vuajë mungesën e qendërmbrojtësit Jurgen Goxha, i cili u ndëshkua me karton të kuq në Burrel. Dy janë alternativat për ta zëvendësuar, Ramilli ose Kapo.

FERIZ FERIZAJ- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"