Trajneri Mirel Josa ul euforinë te Besa: Nuk jam i qetë se s’kemi arrituar asgjë me kaq…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 5, 2024 | 10:40

Trajneri Mirel Josa ul euforinë te Besa: Nuk jam i qetë se s’kemi arrituar asgjë me kaq…

Pas fitores kundër Korabin, Besa kryeson kampionatin pas 2 javësh me 6 pikë të plota. Një kryesim që kaloi përmes perlës së Mentor Mazrekajt kundër Korabit. Përpos kryesimit, trajneri Mirel Josa nuk ndihet i qetë edhe pse Besa njeh vetëm fitore.

JOSA QOSJA

“Nuk jam i qetë, përkundrazi më i angazhuar se kurrë. Janë vetëm 2 javë të luajtura, ose thënë ndryshe nuk kemi bërë asgjë. Është vetëm fillimi dhe kemi rrugë të gjatë përpara. Kur them nuk kemi bërë asgjë, kam parasysh objektivi që ekipi ka. Objektivi kërkon impenjim maksimal në çdo takim dhe 2 apo 3 fitore nuk përcaktojnë asgjë” u shpreh fillimisht Josa. Gjithsesi, trajneri kryeqytetas është i kënaqur që ekipi ka marrë 2 fitore pa pësuar asnjë gol, pasi ka pritur e besuar te kjo nisje e Besës. “Pavarësisht se disa lojtarë i bashkuan grupit në fund të fazës përgatitore, përsëri pata besim se nisja do ishte në favorin tonë, pas gjithë asaj pune të bërë në prag të kampionatit. Por e përsëris, është vetëm fillimi i garës”, vijoi trajneri Josa. I pyetur rreth vështirësive që Besa pati në shënimin e golit kundër Korabit, si dhe a ka gjetur skuadra sulmuesin që priste, trajneri kryeqytetas u përgjigj:

“Nuk është rastësi që Korabi të luajë prapa dhe këtë e prisnim, sikurse shumë ekipe presim ta bëjnë këtë lloj loje ndaj nesh. Për mua si trajner, ekipi duhet të dalë përpara portës kundërshtare shpesh dhe të krijojë raste shënimi. Këtë besoj Besa e bëri kundër Korabit dhe pak rëndësi ka se kush shënon. Ne nuk duhet t’i falim ato raste flagrante dhe nëse e bëjmë këtë, detyrat janë realizuar. Grupi është i plotë dhe ne po shfrytëzojmë këtë kohë për tu përgatitur për takimin e radhës. E kam thënë dhe e përsëris se në punën time gjithnjë kam parë vetëm nga ndeshja radhës dhe asnjëherë nuk bëj llogari pikësh apo kundërshtarësh.

Çdo ekip ka aftësi e mundësi të të bëjë dëm, prandaj të jemi vetëm të përqendruar dhe motivuar për takimin e ardhshëm. Kështu do të jemi në rregull me detyrat tona”. Ndërprerja e kampionatit u vjen në ndihmë kavajasve për t’u harmonizuar më shumë dhe afrimet e fundit të ingranohen me ekipin. Në javën e tretë Besa luan në transfertë kundër Pogradecit.

FERIZ FERIZAJ- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"