Trajneri Pajaziti “blindon” fierakët, Apolonia nis të shfrytëzojë faktorin fushë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 12, 2024 | 13:35

Trajneri Pajaziti “blindon” fierakët, Apolonia nis të shfrytëzojë faktorin fushë

Apolonia ka filluar ta shfrytëzojë sa duhet faktorin “fushë”, atë që mendohej se këtë sezon do të ishte një nga “armët” më të forta të këtij ekipi karshi kundërshtarëve. Mjafton të thuhet se tri ndeshjet e fundit që i kanë pasur në “Loni Papuçiu” kanë bindur me lojë dhe rezultat, një kalendar që në kampin fierak shpresonin ta kthenin në favorin e tyre dhe ka ndodhur pikërisht kështu. 

apolonia vora

Ekipi i trajnerit Sedat Pajaziti ka sigluar vetëm një barazim dhe dy fitore të pastra, duke marrë kështu 7 pikë nga 9 të mundshme. Me këto rezultate pozitive radhazi, fierakët i kanë dhënë vetes mundësinë për të qenë në gjashtëshen e parë ose ndryshe “play off”, si mundësia e dytë për t’u ngjitur në elitë.

Zgjedhja – Pas largimit të Artan Mërgjyshit, drejtuesit zgjodhën që për vazhdimin t’i besojnë shkollës kosovare të futbollit. Zgjodhën pikërisht një trajner që vjen prej ekipeve të Kosovës, me shpresën se filozofinë e tij do të dijë ta sjellë te lojtarët. Në njëfarë mënyre mund të thuhet se deri më tani Sedat Pajaziti e ka sjellë frymën e tij në ekip, duke injektuar stabilitetin në mbrojtje. Që prej ardhjes së tij në pankinë Apolonia është një nga skuadrat me mbrojtjen më të mirë të kampionatit, pasi ka pësuar vetëm 5 gola. Sipas filozofisë së Pajazitit, skuadra që pëson më pak përgjatë një kampionati, ka në fund edhe shanset më të mëdha për të fituar.

Mbetet për t’u parë në vazhdim sesa do të jetë në gjendje kjo Apoloni ta ruajë këtë trend pozitiv, kur dihet që kampionati vështirësohet më tej. Për momentin e rëndësishme është që fierakët kanë krijuar siguri në prapavijë. Edhe pse ndoshta është herët për të dalë në konkluzione të sakta, 12 javë janë gjithsesi të mjaftueshme për të dhënë një indicie në lidhje me Apoloninë e këtij sezoni. Ajo që bie në sy është se fierakët kanë nisur të krijojnë një varësi nga sulmuesi i tyre kryesor, Erald Maksuti. Nga 18 golat e shënuar deri më tani, 6 prej tyre kanë ardhur pikërisht nga shkodrani.

Dhe bëhet fjalë për 33% të rrjetave që vijnë nga këmbët e 20-vjeçarit dhe është ai që po e ringre skuadrën drejt objektivave. Mjafton të thuhet se tre fitoret, konkretisht ndaj Korabit, Erzenit dhe Vorës, kanë ardhur pas golave të Erald Maksutit. Sulmuesi ka shënuar edhe një gol vendimtar ndaj Burrelit, ndeshje që fierakët e mbyllën barazim 1-1. Ky moment shumë pozitiv i sulmuesit Maksuti u pasua edhe me ftesën nga kombëtarja Shpresa për dy ndeshjet miqësore me Moldavinë në Vorë, më 15 dhe 18 nëntor, ora 14:00.

HILMI SALIU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"