Trajneri Pajaziti me “dhimbje koke”, Apolonia pa 4 titullarë ndaj vorakëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 7, 2024 | 14:14

Trajneri Pajaziti me “dhimbje koke”, Apolonia pa 4 titullarë ndaj vorakëve

Shtohen vështirësitë për Apoloninë para ndeshjes së rëndësishme në shtëpi me Vorën, e vlefshme për javën e 12-të të kampionatit të Kategorisë së Parë. Do të jenë të paktën katër mungesat për këtë ndeshje, duke e bërë trajnerin Sedat Pajaziti me “dhimbje koke” në një moment tepër delikat.

apolonia

Qendërmbrojtësi Serjan Repaj nuk mund të luajë për shkak të dëmtimit muskulor që pësoi ndaj Flamurtarit në Vlorë. Ai vijon të stërvitet me ritëm të ngadaltë në fushë dhe do të mungojë të paktën edhe këtë fundjavë. Nuk është gati as portieri Leonard Kaçaj, i cili pësoi një tërheqje në transfertën e Peshkopisë. Dy mungesat e tjera janë të ditura që në ndeshjen me Pogradecin, ku dy mesfushorët Topi dhe Musa u ndëshkuan me kartonë të verdhë, duke plotësuar numrin 4 të kartonëve të verdhë. Janë mungesa që peshojnë shumë, pasi të gjithë kanë qenë titullarë te fierakët. Në dyshim është edhe golashënuesi më i mirë i skuadrës me 5 gola, sulmuesi Xhovalin Trifoni. Ai zhvilloi vetëm pjesën e parë të seancës së djeshme stërvitore për shkak të një çarjeje që ka marrë në këmbë.

Nëse vendin e Kaçajt në portë pritet ta marrë Aldo Bushi, si dhe vendin e Repajt, në mbrojtje pritet ta marrë Ersildjo Asllanaj, dilemat mbeten në mesfushë. Për Musa dhe Topin në mesfushë ka më shumë kandidatë dhe trajneri Sedat Pajaziti duhet të vendosë se cilin do të hedhë në fushë nga minuta e parë. Mikael Rakipaj, Jasin Rajab, Rajmond Çidozie dhe Fabricjo Çulli garojnë për të plotësuar treshen e mesfushës së Apolonisë, bashkë me Hebejën dhe Bejzaden. Para disa javësh, mesfushorët Rakipaj dhe Jasin ishin titullarë, por javët e fundit, për shkak të dëmtimeve nuk kanë pasur mundësi të marrin shumë minuta. Ndërsa mesfushorët me tipare sulmuese Rajmond dhe Çulli janë aktivizuar më shumë si zëvendësues. Altin Kananaj, ish-lojtari i Lushnjës dhe Tomorit, është një tjetër alternativë për trajnerin Pajaziti. Në Fier ndoshta mund të jetë rasti për të prishur “mallkimin” e ndeshjeve në shtëpi për këtë sezon.

HILMI SALIU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"