Trajneri Pajaziti “shtrydh” Apoloninë në stërvitje, fierakët e kanë nisur vitin me ngarkesa dhe mungesa

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 6, 2025 | 19:18

Trajneri Pajaziti “shtrydh” Apoloninë në stërvitje, fierakët e kanë nisur vitin me ngarkesa dhe mungesa

Apolonia nuk heq dorë nga tradita e grumbullimit dhe rikthimit të shpejtë në stërvitje. Fierakët po kryejnë një minifazë përgatitore në aneksin e stadiumit “Loni Papuçiu”. Trajneri Sedat Pajaziti dhe stafi i tij po punojnë çdo ditë me grupin, kryesisht me ushtrime aerobike, por edhe me ushtrime me dhe pa top.

apolonia ne stervitje

Seancat e para janë kryer me mungesa të justifikuara. I pari që ka munguar është qendërmbrojtësi Ndubuisi, i cili ka udhëtuar drejt familjes në Nigeri dhe pritet të rikthehet sot. Mesfushori Jasin po stërvitet veçmas në palestrës dhe nën përkujdesjen e fizioterapistit. Rikuperimi i plotë do të kërkojë dhe disa ditë kohë, në mënyrë që të mos rrezikohet asgjë. Mesfushori kenian vjen nga një dëmtim i rëndë në kavilje dhe prej 5 javësh është jashtë fushave. Pjesa tjetër po stërvitet normalisht dhe në gjendje optimale. Pasditen e djeshme, trajneri Pajaziti planifikoi një ndeshje kontrolli brenda grupit. Duke qenë se grupi kishte dy mungesa të justifikuara dhe dy të tjera, që përkojnë me largimet e Serjan Repajt dhe Altin Kananajt, trajneri u detyrua të thërrasë lojtarë nga akademia. Bëhet fjalë për portierin Bega, mbrojtësin Folorunsho dhe mesfushorin Nikolas.

Ndeshja e kontrollit zgjati 30 minuta, ku nuk munguan edhe golat. Qëllimi i testit ishte pozicionimi i duhur i lojtarëve, sidomos në prapavijë, aty ku dhe ka çaluar skuadra. U Provuan edhe disa skeme të reja loje, që mund të hyjnë në punë në vijim. Përgjatë këtyre tri ditëve punë të stafit teknik, skuadra në njëfarë mënyre është “shtrydhur” nga një punë me intensitet të lartë. Pajaziti është shumë kërkues, së pari ndaj vetes dhe më pas lojtarëve, duke kërkuar seriozitet dhe impenjim maksimal në seancat stërvitore. Ekipi po punon fort në disa aspekte, duke nisur nga ana tekniko-taktike dhe disiplina, deri te përgatitjet fizike. Stafi teknik me në krye trajnerin Pajaziti e ka parë të arsyeshme të zhvillojë dje dy seanca stërvitore, paradite dhe pasdite, me qëllim që skuadra të marrë ngarkesën e nevojshme.

HILMI SALIU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"