Trajneri Toska përgatit Kofshën: Nuk kthehemi duarbosh nga Spanja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 11, 2024 | 18:45

Trajneri Toska përgatit Kofshën: Nuk kthehemi duarbosh nga Spanja

Vazhdojnë përgatitjet me dy seanca në ditë në palestrën e Shtërmenit, aty ku trajneri Leonard Toska po stërvit intensivisht talentin Ertjan Kofsha.

ETJEN KOFSHA

Objektivi është i qartë, pasi kërkohet zona e medaljeve në Kampionatin Botëror për të rinj që do të mbahet në Leon të Spanjës, në datat 19-27 shtator. Këtë e konfirmon për “Panorama Sport” vetë trajneri Toska, i cili ndonëse thekson shkallën e vështirësisë, shfaqet i bindur se Kosha do të kthehet me medalje.

“Jemi drejt përgatitjeve të fundit dhe pothuajse jemi gati për garën e fortë që na pret. Në Botërorin e të rinjve, peshëngritësi ynë me të ardhme të madhe, do të garojë në peshën 96 kg”, shprehet fillimisht Toska, i cili më tej shton: “Bëhet fjalë për një kategori peshe ku do të ketë rivalitet shumë të lartë. Pra, do të jetë e vështirë për ne, pasi do të përballemi me kampionë aziatikë, kolumbianë, turq dhe të tjerë, peshëngritës shumë të fortë.

Por nuk na tremb aspak ky fakt, pasi Ertjan Kofsha nuk ka asgjë më pak se ata. Kofsha është në gjendje shumë të mirë dhe kjo gjë më bën optimist. Kemi punuar fort pa ndërprerje dhe kam besim të madh që do ia dalim mbanë. Besoj që nuk do dalim duarbosh dhe do kthehemi me medalje. Dëshira jonë e madhe është të shpallemi kampion dhe do të bëjmë ç’është e mundur për ta arritur objektivin. Me këtë rast dua të falënderoj Bashkinë Cërrik dhe federatën për mbështetjen e vazhdueshme që na japin dhe shpresoj që t’ua shpërblejmë më medalje, duke ngritur lart flamurin kuqezi”, deklaron trajneri shtërmenas.

M.MIRAKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"