Trajneri Xhafa me recetë fituese kundër krutanëve, Kastrioti kërkon vazhdimësinë në “Roza Haxhiu”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 30, 2024 | 12:15

Trajneri Xhafa me recetë fituese kundër krutanëve, Kastrioti kërkon vazhdimësinë në “Roza Haxhiu”

Lushnjës i duhet me çdo kusht reflektimi, në mënyrë që skuadra të zhytet në krizë rezultatesh. “Do të synojmë fitoren”, kështu thotë për “Panorama Sport” në prag të ndeshjes me Kastriotin, trajneri Erion Xhafa, takim i cili do të luhet sot në orën 13:30 në stadiumin “Roza Haxhiu”.

lushnja

Në lidhje me situatën në ekip dhe pragndeshjen me krutanët, trajneri i verdhejeshilëve u shpreh: “Ndeshja me Kastriotin është përgatitur ashtu siç çdo ndeshje tjetër, me seriozitet, dëshirë dhe përqendrimin e duhur. Jemi të vetëdijshëm që na pret një ndeshje e vështirë, ndaj një kundërshtari, që po bën një kampionat të mirë. Ne jemi gati dhe të përgatitur për ta fituar ndeshjen. Situata është e mirë dhe do të kërkojmë të reflektojmë e të rikuperojmë çdo gjë që shkoi keq në Pogradec.

Kemi pasur disa futbollistë të dëmtuar dhe jemi munduar gjatë gjithë javës t’i rikuperojmë për të pasur grupin e plotë. Gjithsesi, nesër(sot), do të kërkojmë tri pikët. Si në çdo ndeshje, ne do të synojmë vetëm fitoren për veten tonë dhe tifozët lushnjarë, që e presin me padurim”. Pas transfertës me Pogradecin, të besuarit e trajnerit Xhafa do të luajnë dy ndeshje radhazi në shtëpi, fillimisht me Kastriotin dhe më pas derbin me Apoloninë. Edhe para transfertës me liqenorët, lushnjarët luajtën dy herë radhazi në fushën e tyre. Fillimisht humbën 0-2 me Valbonën dhe më pas fituan 3-1 ndaj Korabit. Deri tani Lushnja ka luajtur 6 ndeshje në shtëpi dhe ka grumbulluar 11 pikë. Verdhejeshilët kanë realizuar 3 fitore, 2 barazime dhe 1 humbje. Ndërsa nën drejtimin e trajnerit Xhafa, në pesë ndeshje Lushnja ka marrë 6 pikë, me dy fitore dhe tre humbje.

Kastrioti i Krujës, do të përballet sot në orën 13:30 me Lushnjën në stadiumin “Roza Haxhiu”.

Në funksion të këtij takimi të javës së 14-të, krutanët kanë mbyllur një javë stërvitore me kapacitet dhe rendiment të plotë, për të treguar se nuk janë rastësisht në vendin e katërt në ndjekje të treshes kryesuese, Flamurtari, Besa dhe Vora. Nën drejtimin e trajnerit Stavri Nica, krutanët e kanë punuar me detaje sfidën me lushnjarët, me shpresën që të përsërisin suksesin e fazës së parë, ku fituan me përmbysje në shifrat 2-1. Forma sportive e skuadrës ka ardhur duke u rritur nga java në javë, gjë e cila është shoqëruar me katër fitore radhazi, tri për kampiona, kundër Korabit, Pogradecit dhe së fundi ndaj Apolonisë, si dhe një në raundin e dytë të Kupës ndaj Korabit.

Kjo tregon së potenca e Kastriotit ka ardhur në ngritje, ndaj tekniku Nica i ka kërkuar fitoren skuadrës në Lushnjë. Krutanët aktualisht renditen në vendin e katërt në kuotën e 23 pikëve, ndërsa Lushnja mban vendin e tetë me 15 pikë. Në këtë takim, trajneri Nica do të hedhë në fushë formacionin më të mirë. Trajneri do të ketë në dispozicion grupin e plotë dhe ia ka bërë “hyzmetin” trepikëshit.

ALBAN ALUSHI/SHKËLQIM HASANI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"