Trajnerin Canajn e shqetësojnë dëmtimet: Derbi vlen shumë për Korabin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 8, 2024 | 19:45

Trajnerin Canajn e shqetësojnë dëmtimet: Derbi vlen shumë për Korabin

Korabi ka lënë pas humbjen në limitet e transfertës me Besën dhe po bëhen gati për derbin e prefekturës me Burrelin. Në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport”, trajneri Agim Canaj pohoi se humbja e fundit i ka shërbyer për të krijuar një ide më të qartë për ekipin.

Agim Canaj

“Çdo ndeshje ka historinë e vet dhe ajo që është pozitive për Korabin është se ekipi u paraqit mirë në fazën mbrojtëse. Aspekti negativ qëndron se nuk arritëm të qarkullonim topin dhe veprimeve në fazën sulmuese. Këtu gabuam dhe normalisht mua nuk më shqetëson fakti që do marr një pikë më shumë apo një pikë më pak. Për momentin e rëndësishme është që të krijojmë një pasqyrë për lojën e zhvilluar deri tani. Kërkohet lojë me intensitet në çdo ndeshje dhe kjo gradualisht ka patur pikëpyetjet e saja në dy ndeshjet e para.

Ndryshimet e shumta dhe disa lojtarë të dëmtuar kanë bërë që të jemi të kushtëzuar për të aktivizuar disa lojtarë jo në gjendje fizike 100%. Tani kemi një kohë relativisht më të gjatë deri të mërkurën për të përgatitur derbin me Burrelin. Korabi është një skuadër, ku unë e kam thënë gjithmonë, që di të luaj mirë në fushën e vet.

Përballe tifozërisë tonë, por duke ditur që hyjmë në fushë për të marrë maksimumin ndaj çdo kundërshtari që kemi përpara, shpresoj që të fitojmë. U rikthyem në stërvitje nga dita e parë pas humbjes në Kavaje dhe po punojmë shumë. E dimë se kemi shumë punë përpara. Ndaj Burrelit është një duel që vlen për ecurinë tonë dhe objektivat e Korabit. Na shqetëson fakti se kemi disa lojtarë të dëmtuar, shpresoj që falë punës së stafit mjekësor të jenë gati për Burrelin”, u shpreh trajneri Agim Canaj.

SHKËLQIM HASANI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"