Transferta e Durrësit/ Bylisi synon ta mbyllë vitin me “dhurata”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 18, 2024 | 23:46

Transferta e Durrësit/ Bylisi synon ta mbyllë vitin me “dhurata”

Sfida me Teutën, që luhet të dielën në Durrës, është kryefjalë në Ballsh. Skuadra është rikthyer në grumbullim, ndërsa trajneri Nevil Dede, bashkë me ndihmësit e tij Fjodor Xhafa dhe Kostandinos Mihailidhis, kanë analizur barazimin me Skënderbeun në Korçë. Më pas ka nisur stërvitja në kuadër të takimit me durrsakët.

Bylis

Në “Niko Dovana” do të ketë mungesa titullarësh për Bylisin dhe ky është një problem për stafin teknik. Mungojnë dy nga lojtarët më stabël të skuadrës mallakastriote, Aleks Peralta dhe braziliani Bruno De Souza, të cilët në Korçë u ndëshkuan me karton të verdhë dhe plotrësuan numerin 4 të tyre.

Janë dy mungesa me peshë, sepse Peralta dhe Bruno janë dy nga lojtarët më të aktivizuar te Bylisi. Megjithatë, te ballshiotët ka alternativa, pasi ata kanë bërë 20 afrime në verë. Trajneri Nevil Dede dhe stafi i tij kanë punuar shumë që lojtarët të kapin formën e tyre optimale, duke qenë se pjesa më e madhe janë afruar në fundin e merkatos së verës. Në Korçë morën minuta Mahmuti dhe Përndreca. Mund të ketë edhe spostime rolesh, stafi i Bylisit ka surprizuar gjithmonë me përzgjedhjet.

Synimi është që në Durrës të ruhet ecuria e rezultateve pozitive për të qenë sa më larg zonës së rrezikut. Drejt Durrësit pritet të udhëtojnë tifozë nga Ballshi për të mbështetur skuadrën në këtë transfertë delikate. Fazën e parë Bylisi bëri një ndeshje të mirë në fushën e Teutës, kaloi në avantazh, por në fund u mund 2-1.

ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"