Transfertë “maratonë”, ekipi i Partizanit niset sot drejt Gjeorgjisë
Në momentin që shorti i turit të dytë të Ligës së Konferencës i rezervoi Iberian, te Partizani nuk ishin shumë të lumtur.Jo prej cilësisë së kundërshtarit, por më së shumti prej peripecive dhe orëve të gjata të udhëtimit. Kur kemi mbetur vetëm tri ditë larg ndeshjes, Partizani nis sot transfertën “maratonë” të Gjeorgjisë për sfidën e së enjtes në orën 18:00. Paraditen e sotme të kuqtë do të nisen për në Tbilisi. Arsyeja e këtij udhëtimi kaq të shpejtë është fakti që skuadra do të lëvizë me linja të zakonshme fluturimesh dhe jo me “charter”.
Lojtarët dhe stafi do të bëjnë një ndalesë në aeroportin e Stambollit, përpara se të fluturojnë drejt destinacionit final, Tbilisi. Një udhëtim i lodhshëm prej thuajse 3 mijë kilometrash për të kuqtë, që pritet të mbërrijnë në destinacion pas mesnatës.
Gjithsesi, fakti që mbërrijnë në Tbilisi dy ditë para ndeshjes pritet të ndihmojë në përshtatjen e ekipit me orarin, klimën si dhe ekipi të çlodhet fizikisht. Dy seanca stërvitore skuadra do t’i zhvillojë në Gjeorgji. Ky është një nga rastet e rralla që Partizani udhëton me linja të zakonshme në transfertat jashtë, pasi në 2-3 vitet e fundit ka fluturuar gjithnjë me “charter”.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"