Trashi: Fitorja na motivon, ja pse zgjodha Flamurtarin. Ememe: I lumtur që debutova me gol

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 13, 2024 | 10:48

Trashi: Fitorja na motivon, ja pse zgjodha Flamurtarin. Ememe: I lumtur që debutova me gol

Flamurtari ka marrë një fitore bindëse me Vorën, por ajo që ngroh më shumë situatën në kampin vlonjat është gatishmëria e të gjithë lojtarëve. Në këtë takim debutuan tre futbollistë për Flamurtarin, ku spikat aktivizimi i Valentino Muratajt që e ka lënë pas dëmtimin.

trashi

Gjithashtu, debutuan edhe dy afrimet e fundit të merkatos, mesfushori Bangaly Divara, si dhe sulmuesi Krist Evo Ememe, që shënoi edhe golin e dytë të ndeshjes.

Pritshmëritë për Flamurtarin e këtij sezoni janë të mëdha, pasi presidenti Sinan Idrizi ka investuar shumë në merkato. Për këtë arsye pati ultimatum në Vlorë pas humbjes në start me Burrelin. Ekipi ka reaguar direkt dhe përvoja e lojtarëve po konvertohet me rezultate. Kjo ndodhi edhe dje ndaj Vorës, ku Lorenc Trashi ishte nga më të mirët në fushë dhe i papërmbajtshëm në të majtë duke kontribuar te golat e shënuar. Pas suksesit me Vorën për “RTSH” Trashi u shpreh:

“Ndihem mirë, pasi ky rezultat na jep motivim për ndeshjet e radhës. Vora nuk është ekip i lehtë, por kemi punuar shumë dhe e treguam në fushën e lojës. Në krahun e djathtë janë të dy mbrojtësit të dëmtuar dhe normalisht ne futëm Allmuçën që luan me këmbën e majtë dhe kjo bëri që të kishte vështirësi. Por mendoj se kemi bërë mirë dhe ia arritëm me sukses. Shpresoj që të vazhdoj kështu. Pse zgjodha Flamurtarin? E kam pasur kontaktin e parë me këtë klub kur këtu erdhi drejtor Pollozhani me të cilin kam qenë te Ballkani. Kam pritur që të firmos me një ekip të Superiores, por nuk mu plotësuan kushtet”.

Ememe: I lumtur që debutova me gol dhe ndihmova ekipin

ememe

Erdhi vetëm një javë më parë në Vlorë, por e gjeti rrugën e rrjetës shumë shpejt. Sulmuesi i majtë Krist Evo Ememe ishte një nga tre autorët e golave, që së bashku Oshafin dhe kapitenin Pjeshka vulosën ndeshjen e djeshme ndaj Vorës. Për “Panorama Sport”, 23-vjeçari nigerian pohoi se është tepër i lumtur, pasi shënoi golin e parë me fanellën kuqezi, si dhe dha kontributin e tij në marrjen e trepikëshit. “Ndihem shumë mirë që shënova. Kam ardhur këtu me kënaqësi për të ndihmuar Flamurtarin dhe për të bërë më të mirën për këtë skuadër.

Goli më kënaqi, por mbi të gjitha kjo fitore e rëndësishme. Tani të gjithë do të vijojmë drejt objektivit madhor që kemi si ekip”, u shpreh shkurtimisht sulmuesi Ememe për gazetën pas fitores 3-0 me Flamurtarin. Sulmuesi i ardhur në mbyllje të merkatos po rezulton si një afrim i goditur dhe ndonëse hyri nga stoli, arriti të lërë gjurmë që debutim. Flamurtari është i dubluar në ço repart, gjë të cilën e tregoi dje edhe aktivizimi i sulmuesit Krist Evo Ememe.

ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"