Tregu i huaj, shpresa e Kukësit për forcimin e ekipit në merkaton e verës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 16, 2024 | 13:20

Tregu i huaj, shpresa e Kukësit për forcimin e ekipit në merkaton e verës

Kukësi ka nisur prej disa ditësh punën për riorganizimin e sezonit të ri. Ekipi nën drejtimin e Ilir Spahiut do të përpiqet të jetë gati për startin e kampionatit, që starton pas një jave. Edhe pse janë vonë me përgatitjet, në Kukës do të mundohen të rikuperojnë kohën e humbur.

kukesi

Mësohet se gjatë kësaj periudhe po bëhen shumë seleksionime të lojtarëve, kryesisht të rinj, të cilët pritet të kenë një bazë të rëndësishme në skuadër për këtë edicion. Me largimet në masë dhe pa u ditur ende se sa prej atyre që janë nën kontratë do të vijojnë të jenë pjesë e klubit, një shpresë vjen edhe nga merkato. Duhen edhe dy javë deri në mbylljen e saj dhe kryesisht afrimi i lojtarëve që mund të bëjnë diferencën është hedhur në tregun e huaj. Kjo, edhe për shkak se kanë afruar një drejtor teknik nga Lituania, i cili prej vitesh operon në këtë fushë dhe kanë nisur që tani kontaktet për t’i afruar në skuadër këtë edicion.

Nisja vonë e përgatitjeve i privon disi edhe nga ecuria që mund të kenë këtë edicion dhe në klub për momentin janë me “këmbë në tokë” duke mos premtuar që në fillim Superioren, por duke i mëshuar më shumë një projektit afatgjatë që do të vlejë për rimëkëmbjen e klubit dhe rikthimin në nivelet e dikurshme. Ndeshjen e parë verilindorët do ta luajnë me skuadrën e Erzenin, e cila ashtu si ata, i kanë nisur vonë përgatitjet e këtij edicioni.

VLADIMIR MEMA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"