Treni: Bylisi nuk e meriton këtë gjendje, mundim Egnatian
Në Ballsh, kualifikimi në Kupën e Shqipërisë ka sjellë një tjetër atmosferë në radhët e skuadrës. Një nga titullarët e skuadrës dhe autor goli në sfidën me Luzin 2008, Patrik Treni ka folur dhe ka besim se ekipi do të rikthehet te fitorja. Treni ka ardhur në Ballsh që të ndihmojë Bylisin, por edhe të rritet akoma më shumë profesionalisht në skuadrën që ai e quan të “qytetit të tij”.
“Unë jam nip në Mallakastër dhe historia jonë me Bylisin është e disa dekadave më parë, drejtuesit më kanë kërkuar unë e kam vlerësuar shumë dhe në Ballsh kam ardhur pa u menduar dy herë. Është ekipi im Bylisi, ndaj dua që të përkushtohem me mish e me shpirt në vijim, sepse kam kaluar edhe një dëmtim sapo nisi gara. Dua që të ndihmoj sa më shumë skuadrën dhe klubin, sepse nuk e meritojmë këtë gjendje, duke ditur edhe kapacitetin dhe kualitetin që ne kemi si skuadër, bazuar edhe na takimet që kemi luajtur”, tha fillimisht sulmuesi anësor i Bylisit.
Më pas Treni foli edhe për ambiciet personale, duke qenë se për të është viti i parë që po luan si titullar në Superiore. “Dua të them se tashmë që jam në kulmin e karrierës, por duke kapur edhe formën time më të mirë synoj që të luaj sa më shumë dhe të shënoj gola. Vij nga një sezon shumë i mirë vjet në Kategorinë e Parë edhe pse kampionatet ndryshojnë shumë, sidomos nga cilësia dhe ritmi që kanë.
Pas golit të parë ndaj Luzit në Kupën e Shqipërisë shpresoj që të shënoj edhe në kampionat, madje duke filluar që nga ndeshja e radhës në Superiore ndaj Egnatias”, tha Patrik Treni një nga sulmuesit e Bylisit të këtij sezoni.
ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"